Parafushata zgjedhore në Kosovë nuk ka nisur në atmosferën e pritur demokratike. Incidenti i fundit në Skenderaj dhe tensionet që pasuan kanë ngritur shqetësime për përshkallëzim të situatës politike dhe të sigurisë në vend.
Prezenca e shtuar e Policisë së Kosovës në qytet është kundërshtuar nga një pjesë e qytetarëve, të cilët kanë dalë në rrugë për të protestuar ndaj aksionit policor.
Në disa zona janë raportuar edhe barrikadime të rrugëve, duke rikthyer kujtime nga viti 2023, kur serbët lokalë në veri kishin bllokuar qarkullimin me kamionë në shenjë kundërshtimi ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës.
Situata e krijuar në Skenderaj po shihet si një sinjal shqetësues në prag të fushatës zgjedhore, ndërsa qytetarët dhe njohësit e çështjeve politike kërkojnë maturi dhe shmangie të tensioneve që mund të ndikojnë në procesin demokratik.
Rexhepi: Kundërshtimi fizik ndaj policisë nuk i ndihmon askujt dhe vetëm sa e tensionon më tej situatën
Ish-hetuesi Agim Rexhepi në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se barrikadat dhe kundërshtimet ndaj Policisë së Kosovës në Skenderaj janë të papranueshme dhe dëmtojnë rendin shtetëror.
Ai thekson se, pakënaqësitë duhet të zgjidhen përmes institucioneve dhe ligjit, jo përmes tensioneve apo pengimit të policisë në rrugë.
“Ngjarjet e fundit në Skenderaj duhet të trajtohen me shumë kujdes, maturi dhe mbi të gjitha me respekt të plotë për rendin kushtetues dhe shtetin ligjor të Kosovës. Në një shtet demokratik, askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë pakënaqësi, sado e madhe të jetë, nuk duhet të shndërrohet në pengim të institucioneve të sigurisë apo në barrikadim të rrugëve.
Pamjet e barrikadave dhe kundërshtimeve ndaj Policisë së Kosovës kanë krijuar natyrshëm asociacione me skenat e vitit 2023 në veri të vendit. Megjithatë, duhet bërë një dallim i qartë: në çdo pjesë të Kosovës, reagimi ndaj institucioneve duhet të jetë institucional dhe demokratik, jo përmes tensioneve në rrugë. Kur barrikadat përdoren si formë presioni ndaj Policisë, krijohet një precedent i rrezikshëm që dëmton vetë autoritetin e shtetit dhe rendin publik.
Policia e Kosovës është institucion i shtetit dhe vepron mbi bazën e ligjit dhe mandatit kushtetues. Çdo pretendim për tejkalim kompetencash apo pakënaqësi ndaj veprimeve policore duhet të adresohet përmes mekanizmave ligjorë, institucioneve të drejtësisë dhe mbikëqyrjes demokratike, jo përmes konfrontimit në rrugë. Kundërshtimi fizik ndaj policisë nuk i ndihmon askujt dhe vetëm sa e tensionon më tej situatën”, thotë ai .

Agim Rexhepi
Tutje, Rexhepi ka thënë se reagimet emocionale të qytetarëve në Skenderaj janë të kuptueshme për shkak të historisë dhe ndjeshmërisë së këtij rajoni, por ka theksuar se emocionet nuk duhet të cenojnë respektin ndaj institucioneve shtetërore.
Sipas tij, tensionet nuk duken krejtësisht spontane, pasi në situata të tilla shpesh ndikojnë edhe faktorë politikë dhe retorika përçarëse. Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të kontribuojnë në qetësimin e situatës dhe jo në nxitjen e përçarjeve, duke shtuar se demokracia nënkupton edhe respektimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit, edhe kur ka mospajtime.
“Në anën tjetër, është e kuptueshme që në momente të caktuara qytetarët reagojnë emocionalisht, sidomos në vende ku lidhjet familjare, lokale dhe politike janë shumë të forta. Skenderaj ka një histori të veçantë të rezistencës dhe ndjeshmërisë qytetare, prandaj çdo zhvillim që perceptohet si provokues apo i padrejtë mund të shkaktojë reagime të forta emocionale. Por emocionet nuk duhet të errësojnë arsyen dhe respektin ndaj institucioneve shtetërore.
Po ashtu, është e vështirë të besohet se tensionet kanë qenë vetëm spontane. Në situata të tilla shpesh ndërthuren emocionet qytetare me ndikime politike, retorikë nxitëse dhe polarizim social. Kur partitë politike apo individë të caktuar përdorin gjuhë përçarëse ose japin mesazhe që minojnë besimin në institucione, atëherë klima e tensionit vetëm sa përkeqësohet. Pikërisht për këtë arsye, liderët politikë dhe publikë kanë përgjegjësi të madhe që të mos e ushqejnë mllefin, por të kontribuojnë në qetësim, racionalitet dhe respekt për ligjin.
Kosova ka nevojë për forcim të shtetit ligjor në çdo cep të saj, pa standarde të dyfishta dhe pa dallime politike apo rajonale. I njëjti ligj duhet të vlejë për të gjithë dhe i njëjti respekt ndaj institucioneve duhet të kërkohet nga secili qytetar. Demokracia nuk matet vetëm me të drejtën për të protestuar, por edhe me gatishmërinë për të respektuar institucionet edhe atëherë kur nuk pajtohemi me to”, përfundon ai.
Qaka: Fatkeqësisht, opozita dhe sidomos PDK-ja e justifikuan këtë dhunë, kinse për “fyerje” ndaj Sami Lushtakut nga ana e Hysni Mehanit
Edhe politologu Adnan Qaka thotë se, sulmi ndaj zëvendësministrit Hysni Mehani në Skenderaj është akt i papranueshëm dhe cenim i demokracisë.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, pretendon se Mehani u sulmua pa provokim nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe grupi i tij, ndërsa kritikon PDK-në për arsyetimin e dhunës.
Qaka thotë se, diskursi politik i Lushtakut ka qenë përçarës dhe me gjuhë nxitëse ndaj Albin Kurti dhe Vetëvendosjes.
“Incidenti që ndodhi pak ditë më parë në qytetin e Skenderajt, ku u sulmua fizikisht zëvendësministri Hysni Mehani, njëherit ish-kandidat për kryetar të Komunës së Skenderajt nga radhet e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kandidat aktual për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përbën një akt të papranueshëm dhe një cenim serioz të demokracisë në shtetin e Kosovës. Akti i dhunës ndaj ztr. Hysni Mehani ndodhi pa asnjë provokim. ztr. Hysni Mehani ishte duke pirë kafe në një lokal në Skenderaj, bashkë me disa shokë dhe shoqe nga subjekti politik që i takon, dhe pa asnjë provokim, oligarku dhe përfituesi i luftës, kryetari i Komunës së Skenderajt, bashkë me grupin e tij, e sulmuan brutalisht ztr. Hysni Mehani.
Fatkeqësisht, opozita dhe sidomos PDK-ja e justifikuan këtë dhunë, kinse për “fyerje” ndaj Sami Lushtakut nga ana e ztr. Hysni Mehani në një status të tij në Facebook para një muaji. Në fakt, ai shkrim nga ztr. Hysni Mehani ishte në formë satirike dhe ne jemi dëshmitarë se si, në vazhdimësi, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, përdor një gjuhë aspak korrekte politike dhe tejet denigruese në raport me Vetëvendosjen dhe posaçërisht ndaj kryeministrit Albin Kurti, të cilin në vazhdimësi e ka akuzuar me akuza të rënda, pa prova dhe fakte konkrete, duke bërë etiketime si “Albin Serbia” dhe fyerje të shumta, madje duke deklaruar se “më i mirë është një serb nga Serbia sesa Albin Kurti”.
Pra, diskursi politik i Sami Lushtakut ka qenë në vazhdimësi shumë diskreditues dhe përçarës. Ai ka bërë vazhdimisht thirrje edhe për dhunë, duke nxitur masën që “në çdo formë ta largojnë Albin Kurtin nga pushteti” dhe madje duke deklaruar se “duhet ta tërheqin zvarrë”, u shpreh ai për “Bota sot”.

Adnan Qaka
Mes tjerash, Qaka ka deklaruar se sulmi ndaj Hysni Mehani lidhet më shumë me paralajmërimet e tij për publikimin e provave ndaj Sami Lushtaku sesa me statusin në Facebook.
Ai ka kritikuar opozitën për arsyetimin e dhunës, ndërsa ka theksuar se edhe më herët kishte kundërshtuar dhunën në protestat e Vetëvendosjes, megjithëse, sipas tij, kauzat kundër Asociacionit dhe demarkacionit kanë qenë të drejta.
“Rrahja ndaj ztr. Hysni Mehani nuk erdhi kinse nga ai status në Facebook, por më shumë nga faktet dhe provat që ai në vazhdimësi ka sjellë dhe ka paralajmëruar se do t’i publikojë kundër vetë Sami Lushtakut, duke pohuar se ka siguruar dokumente dhe prova të tjera që dëshmojnë për korrupsionin dhe shkeljet e ligjit që po i bën në vazhdimësi kryetari i Skenderajt. Është shumë e ulët mënyra se si opozita e ka arsyetuar dhunën e Lushtakut me grupin e tij tejet destruktiv ndaj shtetit të Kosovës. Sa ishte në opozitë Vetëvendosja, gjatë protestave për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kundër demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, VV kishte zhvilluar protesta të dhunshme, duke dëmtuar pronën publike dhe sulmuar Policinë e Kosovës. Edhe atëherë kam reaguar duke e kritikuar VV-në, ndonëse vazhdoj të them, siç e kam përsëritur në vazhdimësi, se këto dy kauza kanë qenë të drejta. Kam qenë dakord me protestimin si formë e demokracisë së drejtpërdrejtë, por jo me dhunën. Mendoj, në bazë të shumë fakteve dhe argumenteve, se çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacioni me Malin e Zi kanë qenë vërtet akte të tradhtisë kombëtare nga partitë që ishin në pushtet dhe që i përkrahën ato në atë kohë”, tha ai.
Në përfundim, Adnan Qaka ka deklaruar se nuk pajtohet as me barrikadimin e rrugëve nga qytetarët e Skenderajt dhe as me mënyrën e reagimit të Policisë së Kosovës. Sipas tij, prania e madhe e njësive speciale ka nxitur tensione të panevojshme dhe policia është dashur të veprojë fillimisht me masa më të zakonshme dhe profesionale.
Ai theksoi se rendi publik nuk ruhet me militarizim dhe demonstrim force, por me ligj, profesionalizëm dhe besim të qytetarëve ndaj institucioneve.
“Po ashtu, nuk pajtohem as me barikadimin që bënë qytetarët e Skenderajt, duke bllokuar rrugën për Policinë e Kosovës, por nuk pajtohem as me mënyrën e veprimit të Policisë së Kosovës në këtë rast. Mendoj se si protestuesit, ashtu edhe njësia Speciale e Policisë, nxitën tensione të panevojshme. Nuk ka pasur nevojë për një prani aq të lartë policore. Do të mjaftonte një prani normale gjatë ditës dhe më pas, me urdhër të Prokurorisë, të dërgohej në intervistim Sami Lushtaku. Vetëm në rast se ai do të ushtronte dhunë ndaj Policisë së Kosovës, atëherë do të duhej një përforcim i policisë, dhe vetëm nëse përkrahësit e tij do ta sulmonin policinë, atëherë do të arsyetohej një prani e lartë policore. Prania e shtuar e policisë në orët e mbrëmjes në Skenderaj nuk është thjesht çështje patrullimi apo organizimi operacional; ajo prek drejtpërdrejt filozofinë moderne të sigurisë publike dhe mënyrën se si shteti projekton autoritetin ndaj qytetarit. Përdorimi i njësive speciale në ambiente civile duhet të jetë masë e fundit dhe jo instrument rutinor i demonstrimit të kontrollit institucional. Kur automjetet e blinduara, forcat e maskuara dhe armatimi i rëndë bëhen pjesë e peizazhit të zakonshëm urban, krijohet një pasojë e rëndë psikologjike: qytetari nuk e ndien më praninë e shtetit si garantues të sigurisë, por si shfaqje presioni.
Qyteti i Skenderajt nuk ka nevojë për atmosferë alarmi permanent; ka nevojë për polici të rendit profesionale, inteligjencë operative funksionale dhe komunikim korrekt me qytetarët. Sepse rendi nuk mbahet duke militarizuar natën, por duke parandaluar konfliktin para se ai të shpërthejë. Nuk është uniforma speciale ajo që garanton qetësinë publike; është ligji, profesionalizmi dhe besimi që qytetari ka tek institucionet. Në doktrinën e rendit dhe sigurisë publike theksohet me të drejtë një parim i rëndësishëm: forca policore nuk matet nga intensiteti i shfaqjes së saj në hapësirën publike, por nga aftësia për të mbetur e padukshme kur rendi është i qëndrueshëm dhe për t’u bërë e pranishme vetëm atëherë kur të gjitha mekanizmat e parandalimit kanë dështuar. Çdo përdorim i forcës së specializuar jashtë kushteve të domosdoshmërisë absolute operacionale e zhvendos policinë nga funksioni i saj themelor i mbrojtjes së qytetarit drejt një funksioni simbolik të demonstrimit të autoritetit, i cili në afat të gjatë prodhon jo bindje, por distancë sociale; jo besim institucional, por perceptim frike; jo stabilitet, por tension të akumuluar”, përfundon ai për gazetën “Bota sot”.
