Lajme

Rashiq kërkon hetim për presion ndaj qytetarëve nga Lista Serbe

Serbia po vazhdon presionin ndaj serbëve në Kosovë, ka deklaruar kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq.

Në një prononcim për RTK-në, ai i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetojë rastet e dhunës dhe shantazhit që, sipas tij, Lista Serbe ushtron ndaj qytetarëve serbë të Kosovës. Ndërkaq, juristët vlerësojnë se ndikimi në përcaktimin e lirë të votuesve përbën vepër penale.

Nenad Rashiq, kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka ngritur alarmin për, sipas tij, shantazhe ndaj qytetarëve serbë në prag të zgjedhjeve.

Rashiq pretendon se Beogradi, përmes presioneve dhe kërcënimeve me largim nga puna, po i detyron qytetarët ta votojnë Listën Serbe. Ai i ka bërë thirrje Prokurorisë që t’i hetojë këto raste.

“Bashkëqytetarë serb janë ftuar në Merdare në disa podrume, sikur në kohën e viteve 30- ta në Gjermani, të cilëve po u behet presion të votohet Lista Serbe , dhe jo Nenad Rashiq, i cili është tradhtar, nëse rrini me të do të jeni të shkarkuar të larguar nga puna nëse bëni like në Facebook, kjo nuk ndodhë askund në botë për like të largohet dikush nga puna. Ftoj policinë dhe prokurorinë të bëjnë punën e vet”, tha ai për RTK.

Avokati, Arbër Jashari, e vlerëson si vepër penale ndikimin në përcaktim të lirë të votuesve.

“Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim që t’i marrin të gjitha masat që të gjithë ata që bëjnë presion mbi votuesit ose tentojnë në çfarëdo forme të ndikojnë në vullnetin e votuesve të komunitetit serb të japin përgjegjësi. Këto metoda që i ka ngritur ministri, këto shqetësime në fakt që i ka ngritur ministri mendoj që nëse qëndrojnë janë shqetësuese për gjithë shtetin e Kosovës”, pohoi ai.

Qytetarët e komunitetit serb në Kosovë edhe në të kaluarën kanë pasur ankesa për shantazhe dhe ndikim nga Lista Serbe.

Të Ngjashme