Lajme

Inspektorati Qendror i Punës jep detaje për rastin ku vdiq një punëtor në Prishtinë pas rënies së vinçit

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar pasi është rrëzuar vinçi sot në një punishte tek rruga “A” në Prishtinë.
Në lidhje me këtë rast, detaje ka dhënë Inspektorati Qendror i Punës.

Ata kanë thënë se aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të një vinçi në vendpunishten e subjektit “Vëllezërit Asllani”.

“Subjekti në fjalë nuk ka qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati Qendror i Punës, për shkak se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në fazën e realizimit të themeleve. Sa i përket shkakut të aksidentit, në këtë fazë është ende herët të nxirret një konstatim inspektues, pasi natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagim.

Ata kanë thënë se kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.

“Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të punëtorit që humbi jetën në këtë aksident tragjik, duke i uruar shërim të shpejtë të lënduarit”, ka shkruar IQP.

Të Ngjashme