I plagosur rëndë, ishte sjellë në Shpellën e Lakuriqëve në Topillë të Shtimes.
Dëshmori Muhamet Kabashi i njohur si Kelota, qëndroi këtu me plagë nga 5 deri më 11 maj të vitit 1999.
Aty ai u bart nga ushtarët e UÇK-së, bashkë me pjesëtarë tjerë të plagosur.
Një nga ata që e solli këtu Kelotën, ishte edhe Bedri Pajaziti në Brigadën 141 “Ahmet Kaçiku”, Zona e Nerodimes.
Pajaziti thotë se nuk e dinte që po e transportonte shokun e fëmijërisë.
“Një ofensivë që është bërë në Jezerc, disa të plagosur i kanë pru deri në një fshat Devetakë dhe pastaj pjesa tjetër na kanë thirr neve për m’i bartë dhe me i pru deri te Shpella ku është organizu si një lloj spitali atje. Gjatë natës isha kanë duke e bartë këtë shokun tim edhe ai mu prezantua që unë jam Muhameti dhe nuk mundesha as me përqafu, shumë ka qenë i plagosur dhe ai është tash dëshmor…”, thotë ish-ushtari i UÇK-së, Bedri Pajaziti.
Bashkëluftëtar i Kelotës, ishte edhe Hyzri Demiri i cili e kujton takimin e parë me të në frontin e luftës.
Ai rrëfen për tëvë1 se ishte kujdesur vazhdimisht për të, përgjatë kohës sa ishte i plagosur.
“Iu kam shërbyer, iu kam ndihmuar, i kam ushqyer, ndoshta është e tepërt me përmend por pasi që nuk kishim kushte të mira kam marrë ujë të vokët dhe ua kam pastruar edhe këmbët, nuk kam pritu në këtë drejtim dhe sa kam qëndru jam mundu me iu dhënë shpirt”.
Derisa e ka të freskët ende edhe takimin e fundit që e kishte me të në malet e Devetakut.
“Më ka thirr: baci Hyz a po vjen me ma dhënë një ndihmë, i thashë qka muj met ndihmue? Tha a ki mundësi me mi ndërru teshat? I thashë patjetër s’ka problem i thashë tash po i sigurojë një palë trenerka, i kam marrë ato e kam bërë atë punën time çka ma ka kërku, e kam marrë e kam vesh me trenerka dhe e kam çu në shatorr brenda e kam çu te të plagosurit tjerë, që i njifsha edhe ata krejt, e kam lanë te shatorri edhe iu kam bashkëngjit shokëve tjerë”, tregoi ish-ushtari i UÇK-së, Hyzri Demiri.
Në shtator të vitit 2023, në fshatin Jezerc u zbulua lapidari kushtuar sakrificës së tij.
