Lajme

Islami: Serbia instrumentalizon Marinkoviqin për të mohuar krimet e Reçakut

Analisti i sigurisë, Avni Islami, vlerëson se reagimi i ish-gjyqtares serbe, Danica Marinkoviq, ndaj arrestimit të ish-pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Serbisë nga autoritetet e Republikës së Kosovës ,nën dyshimin për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, përbën një veprim të kalkuluar politik.

“Përzgjedhja e Marinkoviqit nga establishmentit qeveritar i Serbisë për t’u prononcuar mbi këtë ngjarje nuk është e rastësishme. Në kohën e kryerjes së masakrës, ajo ushtronte funksionin e gjykatëses hetuese dhe u angazhua drejtpërdrejt për të ofruar mbulesën juridike dhe institucionale për mohimin e këtij krimi kundër njerëzimit. Për shkak të këtij roli si eksponente gjyqësore në fshehjen e fakteve, Marinkoviq është pjesë e aparatit shtetëror të Serbisë që mban përgjegjësi direkte për implikimet që rrethojnë këtë masakër”, ka deklaruar ai.

Tutje ai ka thënë se përmes angazhimit të kësaj figure të nomenklaturës së vjetër shtetërore, Serbia vazhdon strategjinë zyrtare të mohimit të krimeve të luftës të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Për më tepër, Beogradi e instrumentalizon këtë rast për të sulmuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Duke e paraqitur ndjekjen legjitime penale të individëve të dyshuar për krime lufte si “presion ndaj komunitetit serb për të lëshuar Kosovën”, Serbia synon të manipulojë opinionin publik dhe të minojë sundimin e ligjit”, ka përfunduar Islami.

Të Ngjashme