Një reagim i shkurtër i këngëtares së njohur Katy Perry ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga temat më të diskutuara të orëve të fundit.
Gjithçka nisi pas publikimit të një videoje nga Ivanka Trump, ku ajo përmend ishullin e Sazanit dhe flet për një projekt zhvillimor që ka ngjallur interes dhe debat në platforma të ndryshme online.
Pamjet u shpërndanë me shpejtësi, duke nxitur një valë reagimesh nga përdoruesit.
Mes komenteve të shumta, ai i Katy Perry-t tërhoqi më shumë vëmendje. Artistja shkroi vetëm dy fjalë: “Delulu Island”, një shprehje e përdorur në kulturën e internetit për të ironizuar situata apo pretendime që konsiderohen të shkëputura nga realiteti.
Komenti u përhap menjëherë në rrjete sociale, duke marrë mijëra ndërveprime dhe duke u interpretuar në mënyra të ndryshme nga përdoruesit. Disa e panë si një thumbim ndaj deklaratave të Ivanka Trump, ndërsa të tjerë si një shaka pa adresim të drejtpërdrejtë.
Pavarësisht leximeve të ndryshme, reagimi i Katy Perry-t ka arritur të bëhet po aq viral sa vetë videoja që e nxiti atë.
