LifeStyle

Jack Nicholson i jep fund karrierës? Michael Douglas zbulon se aktori legjendar është tërhequr nga jeta publike

Aktori legjendar i Hollywood-it, Jack Nicholson, duket se nuk do të rikthehet më në ekran, pas më shumë se 16 vitesh larg projekteve të reja filmike. Miku i tij, aktori Michael Douglas, ka zbuluar se Nicholson është mirë, por nuk punon më në kinema.

‘Është mirë. Është tërhequr nga jeta publike. E kuptoj, ai e meriton’, u shpreh Douglas, duke lënë të kuptohet se rikthimi i 89-vjeçarit në ekran nuk është më i pritshëm.

Nicholson u shfaq për herë të fundit në një film në vitin 2010, në komedinë romantike How Do You Know, ku luajti përkrah Reese Witherspoon, Owen Wilson dhe Paul Rudd.

Në vitin 2013, aktori kishte shpjeguar se nuk ndiente më të njëjtën dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes. Ai kishte thënë se do të pranonte të merrte pjesë vetëm në filma që preknin emocionet dhe ndjenjat njerëzore.

Pavarësisht karrierave të tyre të gjata në Hollywood, Nicholson dhe Douglas nuk kanë luajtur kurrë së bashku në një film.

Dalja e fundit e rëndësishme publike e Nicholson ishte në 50-vjetorin e emisionit Saturday Night Live, ku prezantoi komedianin Adam Sandler në skenë. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar për pensionimin e tij, deklaratat e Douglas sugjerojnë se aktori po e shijon jetën larg industrisë së filmit.

Të Ngjashme