Erion Veliaj ka reaguar sërish lidhur me vendimin për transferimin e tij nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si është marrë dhe mbajtur sekret ky vendim. Përmes një postimi në Facebook, Veliaj shprehet se janë dashur 31 orë që t’i komunikohet se vendimi është sekret. Sipas tij, kjo jo vetëm që e pengon të njihet me përmbajtjen e dokumentit, por i mohon edhe mundësinë për ta kundërshtuar apo ankimuar atë.
Kryebashkiaku e cilëson situatën një “maskaradë”, ndërsa shënjestron Kryeministrin duke i kërkuar të vihet në dispozicion autorizimi i ti për institucionin që ka klasifikuar vendimin si sekret.
Veliaj ka publikuar edhe nenin 12 të ligjit për autoritet klasifikuese, ku përcaktohet se Presidenti dhe Kryeministri janë autoritete klasifikuese të drejtpëdrejta, ndërsa titullarët e institucioneve të tjera e marrin këtë të drejtë me autorizim nga Kryeministri.
“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!
Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë.
Atëherë kalojmë në faqen tjetër të kësaj maskarade: nga arbitrariteti i vendimmarrjes te fshehja e saj pas sekretit shtetëror!
Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, shkruante Kryebashkiaku në Facebook-un e vet.
