Lajme

Jagxhiu takohet me drejtoreshën e CEFTA-s, diskutohet digjitalizimi i tregtisë në Kosovë

Ministri Lulëzon Jagxhiu ka zhvilluar një takim me drejtoreshën e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, dhe ekipin e saj, në kuadër të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Herceg Novi të Malit të Zi.

Përmes një postimi në Facebook, Jagxhiu bëri të ditur se në takim është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), me theks të veçantë në zhvillimin e ekonomisë digjitale.

Sipas tij, në fokus të diskutimeve ishin iniciativat e CEFTA-s për shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet doganave dhe autoriteteve kufitare të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, përmes sistemit SEED+, si dhe përfshirja e shërbimeve të besuara të Kosovës në listën evropiane për shërbimet e besuara të vendeve të treta.

Postim i plotë:

Në kuadër të Samitit Digjital të Ballkanit Perëndimor në Herceg Novi, Mal të Zi, zhvilluam një takim me znj. Pranvera Kastrati, Drejtoreshë e Sekretariatit të CEFTA-s, dhe ekipin e saj, ku diskutuam për avancimin e bashkëpunimit në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), me fokus në ekonominë digjitale.

Në qendër të diskutimit ishin iniciativat dhe angazhimet e CEFTA-s, përfshirë shkëmbimin elektronik të të dhënave ndërmjet doganave dhe autoriteteve të tjera kufitare të vendeve të rajonit dhe me ato të BE-së (SEED+), përfshirjen e shërbimeve të besuara të Kosovës në listën evropiane për shërbimet e besuara të vendeve të treta, si dhe politikat dhe kornizën rregullative për tregtinë elektronike.

Në këtë kontekst, diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë ratifikimin e marrëveshjes për projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor (TTFP 2.0), të financuar nga Banka Botërore, i cili parasheh zhvillimin e Dritares së Vetme Kombëtare (National Single Window) dhe zbatimin e Sistemit të Ri të Kompjuterizuar të Transitit (NCTS). Këto sisteme do të mundësojnë digjitalizimin dhe thjeshtimin e procedurave tregtare e doganore, si dhe rritjen e ndërveprueshmërisë me sistemet rajonale dhe evropiane.

Bashkëpunimi në këto fusha është i rëndësishëm për lehtësimin e tregtisë, uljen e barrës administrative për bizneset dhe krijimin e një tregu rajonal më të integruar dhe më të afërt me Tregun e Vetëm të BE-së.

Do të vazhdojmë angazhimin për avancimin e këtyre proceseve, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përafrimin e mëtejshëm të Kosovës me standardet dhe praktikat evropiane në fushën e transformimit digjital

Të Ngjashme