Presidenti i Republikës ka reaguar përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale lidhur me përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë. Ai u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira të shfaqin maturi dhe të veprojnë me përgjegjësi administrative e qytetare.
“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.”, deklaron presidenti.
Në reagimin e tij, Presidenti nënvizon se ndonëse e drejta për protestë paqësore përbën një shtyllë themelore të sistemit demokratik, ajo nuk mund të shërbejë si arsyetim për akte dhune. Po ashtu, është theksuar se reagimi i forcave të rendit duhet të mbetet strikt brenda kuadrit ligjor.
“Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.”, thekson Presidenti.
Deklarata nënvizon nevojën për respektimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit nga të gjitha palët pa përjashtim.
Kreu i Shtetit ka rikonfirmuar gatishmërinë e tij për të shërbyer si urë komunikimi me qytetarët dhe të rinjtë që kërkojnë të shprehin shqetësimet e tyre përmes rrugëve institucionale.
“Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.”, nënvizon Presidenti.
Mesazhi i plotë i Presidentit
Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.
Në këtë moment, vendit i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.
Mbetem i gatshëm të dëgjoj të gjitha shqetësimet. Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit.
