Lajme

“Jam penduar, nuk e kujtoj si e godita”/ Zbardhet dëshmia e Sokrat Vatës për vrasjen e turistit në Ksamil

VNA ka zbardhur dëshmitë e autorit të dyshuar të vrasjes së turistit portugez në Ksamil, Sokrat Vata, i cili u la në burg nga Gjykata, si dhe të shtetasit turk Nuh Mahmutoglu, i dyshuar se e ndihmoi të largohej pas ngjarjes. Vata u kap më pas nga policia në Fier, i fshehur në bagazhin e automjetit.

Në sallën e gjyqit, Sokrat Vata ka shprehur pendesë për ngjarjen dhe ka dhënë versionin e tij për përplasjen që përfundoi me vdekjen e turistit.

Sokrat Vata deklaroi në sallën e gjyqit:

“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal, ata po bënin zhurmë. Shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, ata nuk u bindën, filluan të na shanin. Ju afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë, e kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar. Ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha nën shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar.”

Ndërsa shtetasi turk Nuh Mahmutoglu ka deklaruar se njihej me Vatën, pasi kishin bashkëpunuar për turistët për shkak se ai komunikonte në gjuhën angleze.

Nuh Mahmutoglu deklaroi:

“Vata më ka marrë në telefon në 6:30 dhe më ka kërkuar ndihmë që ta shoqëroja për Tiranë, pasi më tha se ishte rrëzuar nga motori.”

Pavarësisht qëndrimeve, Gjykata e Sarandës i la në burg.

Të Ngjashme