Lajme

​Jashari për kthimin e Ligjit për Specialen: Presidentja nuk është e pafajshme

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka kritikuar presidenten e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për kthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky veprim është i padrejtë dhe se presidentja nuk është e pafajshme.

Jashari deklaroi se kthimi i ligjit për rishqyrtim, pa specifikuar vërejtjet konkrete, është i papranueshëm, ndërsa kërkesën për rikthimin e tij e ka cilësuar si akt të turpshëm.

Jashari thotë se presidentja nuk është e pafajshme për kthimin e ligjit në Kuvend

“Ne do t’i shqyrtojmë bashkërisht, por edhe presidentja nuk është e pafajshme, sepse nëse është bërë një kërkesë e padrejtë që mendoj që ka qenë një akt i turpshëm, të bëhet thirrje që të kthehet në parlament ligji, mendoj se nuk e di sa është e drejtë nga presidentja që të kthehet ligji për plotësim ndryshim pa e shënuar asnjë rresht se ku janë vërejtjet e këtij ligji. Kjo është argumentuar edhe nga ata të cilët e kanë përpiluar dhe kanë marrë pjesë për të dërguar këtë ligj për të votuar”, tha Jashari.

Ai ngriti dyshime se pas kthimit të ligjit mund të qëndrojnë lojëra politike, duke theksuar se nuk kanë marrë përgjigje se përse është kthyer ligji dhe cilat janë vërejtjet ndaj tij.

Kthimin e ligjit ai e cilëson lojë politike

“Nuk kemi përgjigje që të na sqarojnë pse është kthyer ligji dhe ku janë vërejtjet, por ai ligj sipas deklaratave nuk ka vërejtje është kthyer komplet, bëhet kërkesë që të votohet përsëri. Kemi të drejtë të mendojmë që kjo është një lojë politike. Ju bëjmë thirrje që lojëra të tilla, kur është në pyetje lufta, sakrifica të ndërpriten sepse nuk ka të drejtë askush të bëj kompromise me luftën tonë të shenjtë”, tha ai.

Ndryshe, presidentja Justina Shiroka-Pula, më 22 tetor, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas Presidencës, vendimi është marrë pas propozimit zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së, me qëllim të rishqyrtimit të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.

Të Ngjashme