Avokati Arbër Jashari ka thënë se aktakuza ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe rasteve tjera duhet të jenë alarm për gjithë qytetarët dhe të tregohen vigjilentë në punët e tyre.
Ai ka thënë se spiunazhi po del të jetë problem i madh për Kosovën.
Jashari ka thënë tendencat për destabilizim vërehen qartë.
“Në Kosovën tonë të dashur, spiunazhi po del se paska qenë problem i madh. Armikun gjithmonë e kemi përfytyruar si dikë që një ditë na mësyn nga jashtë, me tanke e topa për të na pushtuar, duke harruar se atë mund ta kemi duke na gërryer nga brenda. Tamam si krimbi që hyn dhe e than pemën. Tendencat për të na përçarë, destabilizuar dhe tjetërsuar si shoqëri nganjëherë janë qartazi të lexueshme — sidomos kur zhvillohen debate absurde, e nxirren tema që historia i ka hedhur moti në koshin e plehrave. Por nganjëherë ato shfaqen të ambalazhuara bukur dhe në mënyrë të sofistikuar. Këtu duhet të bëjmë kujdes të gjithë pa dallim, e sidomos ata që kanë më shumë hapësirë publike, sepse argat dreqit mund t’i bëjnë edhe pa vetëdije”, ka shkruar ai.
Jashari ka thënë se shteti i fortë me institucione stabile është “ilaç i fortë” kundër kësaj dukurie, duke përgëzuar institucionet si AKI-në, policinë e prokurorinë për ruajtjen e sigurisë kombëtare.
