Lajme

Jashari takon zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mjekësi

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s për Mjekësinë Ushtarake, kolonel Zoltan Vekerdi.

Në Kosovë po qëndrojnë dhjetë ushtarakë nga kjo qendër, të udhëhequr nga kolonel Vekerdi, të cilët po realizojnë procesin e validimit të dy ekipeve të ROLE 1 të FSK-së.

Gjatë takimit, Jashari ka falënderuar Vekerdi-n për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke vlerësuar kontributin e Qendrës së Ekselencës së NATO-s në ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve mjekësore të FSK-së.

Sipas njoftimit të FSK-së, në takim është diskutuar për bashkëpunimin profesional, shkëmbimin e përvojave dhe zbatimin e standardeve të NATO-s në fushën e mjekësisë ushtarake.

Po ashtu, janë trajtuar çështje që lidhen me qëndrueshmërinë operacionale mjekësore, rivalidimin e ekipeve ROLE 1, pjesëmarrjen e FSK-së në aktivitetet e kësaj qendre dhe në ushtrimin fushor “Vigorous Warrior 28” (VW28).

Procesi i validimit synon të vlerësojë dhe avancojë aftësitë operacionale të ekipeve mjekësore të FSK-së, si dhe të rrisë ndërveprueshmërinë dhe përgatitjen e tyre në përputhje me standardet e NATO-s.

Të Ngjashme