Derisa protestat kundër qeverisë në Shqipëri kanë hyrë në javën e tretë dhe pakënaqësia qytetare po vazhdon të shprehet në rrugët e Tiranës, debatet politike rreth tyre mbeten të pranishme.
Së fundmi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka individë që, sipas tij, janë përfshirë në atë që e quajti “çorbë dreqërish”, duke i cilësuar si “sallahana”.
Megjithatë, ai theksoi se nuk e konsideron përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që ai të lihet jashtë kësaj çështjeje.
Lidhur me protestat, analisti Hysamedin Feraj tha për “Bota sot” se ato nuk janë të organizuara nga subjektet politike, por burojnë nga vetë qytetarët.
“Protesta është vetëorganizimi i qytetarëve, e asnjë partie politike”, tha shkurt Feraj për “Bota sot”.
Protestat në Shqipëri kanë nisur para tri javësh dhe po vazhdojnë me kërkesa të ndryshme të qytetarëve ndaj institucioneve dhe qeverisë.
