Në fshatin Pocest të Maqellarës në Dibër, nëna Liria, tashmë 75 vjeç, është kthyer në një simbol të punës. Ajo njihet gjerësisht për përgatitjen e jufkave, një zanat që e nisi vite më parë së bashku me bashkëshortin e saj.
Me kalimin e kohës, kjo nismë e vogël familjare u rrit, duke u shndërruar jo vetëm në një aktivitet të qëndrueshëm ekonomik, por edhe në një burim punësimi për gratë e zonës.
“Me ndërrimin e sistemit mend bashkë me bashkëshortin tim që të futim në linjën e jufkave ngaqë te ne është traditë dhe në vitin 2008 fiton një projekt Kemada dhe u futëm në linjën e jufkave. Neve vazhduam ta zgjerojmë aktivitetin dhe tani që flasim sot gjatë 2008-s deri në 2026-s ne jemi 14 “, u shpreh ajo.
Gjatë sezonit të verës, ajo hap dyert edhe për vajza të reja, duke u mësuar zanatin dhe duke u dhënë mundësi të fitojnë të ardhura.
“Kemi dhe vajza që mbarojnë shkollën, gjimnaz dhe ata i fusin në linjë duke i marrë për të mësuar traditën tonë”, tha ajo.
Përgatitja e jufkave mbetet një proces që kërkon përpikmëri dhe respektim të traditës. Nga përzgjedhja e përbërësve deri te tharja e tyre, çdo hap ka rëndësinë e vet. Liria kujdeset që produktet të jenë tërësisht vendore, duke ruajtur kështu shijen autentike të Dibrës.
“Për përgatitjen e brumit në 25 kg miell ne shtojmë 120 kokrra vezë dhe një katër shishe qumësht nga 1 kg gjysmë edhe e bëjmë brumin në katër pjesë. 30 kokrra vezë 6 kg dhe për përgatitjen e kësaj 8 deri 10 minuta bëjmë përgatitjen përzierjes dhe bëjmë nderjen në tharje jo me impunim tharje. Këtu janë vezët bashkë me qumështin. Vezë, qumësht, këtu nuk përdoret gjë tjetër”, tha ajo.
Historia e Liries tregon se një iniciativë e vogël familjare mund të kthehet në një burim të qëndrueshëm punësimi. Sot, përmes jufkave dhe produkteve tradicionale, ajo vijon të mbështesë gratë e zonës dhe të ruajë një traditë të hershme të Dibrës.
/RTSH/
