Dogana e Kosovës ka realizuar një kontroll në një depo doganore të autorizuar në rajonin e Mitrovicës, ku është konstatuar se një pjesë e mallrave të ruajtura nën mbikëqyrje doganore kishte tejkaluar afatin e përdorimit.
Sipas njoftimit, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe krahasimit me gjendjen fizike në depo, zyrtarët doganorë identifikuan 19,875 kilogramë produkte ushqimore me bazë yndyre bimore, të cilat rezultuan me afat të skaduar.
Për këtë rast është njoftuar menjëherë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila konfirmoi gjendjen dhe urdhëroi asgjësimin e mallit sipas procedurave ligjore.
Mallrat e papërdorshme janë larguar nga depoja dhe janë dërguar në hapësira të posaçme deri në përfundimin e procesit të asgjësimit.
Po ashtu, gjatë inventarizimit është konstatuar edhe një mospërputhje në stok, ku mungonin 5,450 kilogramë mall, që nuk u gjetën në depo gjatë kontrollit.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka nisur procedura administrative dhe hetimore për të sqaruar rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e interesave fiskale të Republikës së Kosovës, garantimin e sigurisë së konsumatorëve dhe zbatimin e ligjit në të gjitha procedurat doganore”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info/
