Lajme

Juristi Mujaj: Kosova duhet të shkojë sërish në zgjedhje, afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka skaduar

Juristi Muhamet Mujaj ka vlerësuar se Kosova duhet të shkojë sërish në zgjedhje, pasi, sipas tij, ka skaduar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Mujaj ka thënë se Kushtetuta përcakton një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, i cili, sipas tij, ka përfunduar më 7 gusht.

Ai ka konsideruar se vazhdimi i seancës konstituive më 8 gusht përbën shkelje kushtetuese.

Sipas tij, interpretimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe të përfaqësuesve të partisë në pushtet lidhur me afatin kushtetues janë interpretime në favor të tyre.

“Nëse i marrim parasysh deklaratat në të kaluarën të Kurtit dhe të gjithë atyre që kanë pozita shtetërore, me të vërtetë është për keqardhje se si të njëjtit arrijnë t’i interpretojnë në favor të tyre procedurat kushtetuese, e që realisht nuk qëndrojnë ashtu ato që deklarojnë lidhur me afatet kohore të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryeparlamentarit”, ka deklaruar Mujaj.

Ai ka thënë se pas skadimit të afatit 30-ditor, sipas interpretimit të tij juridik, nuk ka mbetur alternativë tjetër përveç mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Mujaj ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si janë zhvilluar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas tij, takimet ndërmjet dy subjekteve politike nuk kanë qenë të mjaftueshme për të zgjidhur krizën institucionale.

“Më tepër kanë qenë jo bisedime, por një makijazh për publikun, sepse sikur realisht të kishte pasur seriozitet, do të ishte thirrur seanca në atë 30-ditëshin pa pasur nevojë me vazhdu me bisedime”, ka thënë ai.

Juristi e ka cilësuar afatin kushtetues si “prekluziv”, duke argumentuar se me skadimin e tij humbet edhe e drejta për të vepruar brenda atij afati.

“Ne juristët i themi ky është një afat prekluziv që me humbjen e të cilit humbet edhe e drejta dhe në këtë rast është humbur afati 30-ditor për konstituim të Kuvendit dhe me keqardhje e them duhet të shkohet në zgjedhje”, ka deklaruar Mujaj.

Ai ka paralajmëruar se çdo përkrahje e opozitës për vazhdimin e procesit pas skadimit të afatit mund të krijojë, sipas tij, një precedent për raste të ngjashme në të ardhmen.

 

Të Ngjashme