ShowBizzz

K-Pop depërton në izolimin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un humbet statusin e idhullit të vetëm

Për vite me radhë, regjimi i Kim Jong Un ka kërkuar që popullsia e Koresë së Veriut të nderojë vetëm një person: udhëheqësin e shtetit.

Të lidhura

None found

Megjithatë, ritmet muzikore që vijnë nga Koreja e Jugut kanë kaluar kufirin dhe kanë ndikuar në mënyrën si një pjesë e të rinjve koreanoveriorë e perceptojnë botën.

Ish-dezertorë nga Koreja e Veriut i kanë treguar BBC-së se muzikë nga BTS, Blackpink dhe Girls’ Generation shpërndahej në mënyrë të fshehtë përmes kartave të memories dhe pajisjeve të vogla elektronike, edhe pse ata rrezikonin ndëshkime të ashpra.

Lee Yeon-su, e cila është larguar nga Koreja e Veriut, thotë se e kuptoi lirinë për të zgjedhur artistët e saj të preferuar vetëm pasi arriti në Korenë e Jugut. Ajo tani është një adhuruese e BTS dhe ndjek koncertet e grupit.

Në Korenë e Veriut kjo do të kishte qenë e paimagjinueshme“, shprehet ajo, duke rikujtuar se në vendin e saj të origjinës autoritetet kontrollonin edhe pjesëmarrjen në veprimtaritë publike.

Për shumë të rinj në Korenë e Veriut, K-pop përfaqësonte më shumë sesa thjesht muzikë: ishte një hapje drejt një realiteti tjetër. Veshjet, koreografitë dhe liria me të cilën shpreheshin artistët koreano-jugorë i befasonin ata.

Një tjetër dezertore, Kang Gyu-ri, kujton se “Dynamite” e BTS dhe interpretimet e grupeve të tjera dallonin tërësisht nga muzika shtetërore që dëgjohej në Veri, e cila zakonisht kishte lidhje me politikën dhe propagandën.

Edhe pse autoritetet e Koresë së Veriut kanë forcuar masat ndëshkuese për konsumimin e materialeve që vijnë nga Jugu, duke përfshirë filmat dhe muzikën, shumë persona vijojnë t’i ndjekin ato në fshehtësi.

Sipas dëshmive të dezertorëve, K-pop u krijoi atyre shpresë dhe u ofroi një këndvështrim të ri për jetën përtej sistemit ku ishin rritur.

Për një pjesë të tyre, kjo muzikë e ndaluar nuk shërbeu vetëm si argëtim. Ajo u dha mundësinë të përfytyronin lirinë dhe, në disa raste, i nxiti të kërkonin një jetë të ndryshme jashtë Koresë së Veriut.

Ndërsa BTS dhe artistë të tjerë nga Koreja e Jugut janë shndërruar sot në fenomene botërore, ndikimi i tyre vazhdon të vërë në provë izolimin kulturor të regjimit në Phenian.

Të Ngjashme