LifeStyle

Kanceri te fëmijët: Shenjat e para që prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë

Edhe pse kanceri te fëmijët është i rrallë, ai mbetet shkaku kryesor i vdekjeve nga sëmundjet te fëmijët nën 15 vjeç. Sipas të dhënave të Cancer Research UK, çdo vit diagnostikohen rreth 1.900 fëmijë të moshës 0–14 vjeç.

Sipas BBC, theksohet se shenjat e para mund të jenë të vështira për t’u dalluar, pasi shpesh ngatërrohen me lodhjen e zakonshme ose probleme të tjera të përditshme.

Shenjat që duhen vëzhguar
Rasti i Amelia Carroll, 13 vjeçe, tregon rëndësinë e vëmendjes ndaj ndryshimeve në shëndetin e fëmijëve. Ajo u diagnostikua me leuçemi akute mieloide vitin e kaluar. Fillimisht, lodhja dhe vështirësia në frymëmarrje pas aktivitetit të lehtë u menduan si shenja të lodhjes së zakonshme. Dyshimet u shtuan kur iu shfaqën mavijosje dhe diagnoza u vendos brenda dhjetë ditësh.

Mjekët këshillojnë që prindërit të mos përqendrohen vetëm te një simptomë, por te disa shenja që vazhdojnë, përkeqësohen ose bëhen më të dukshme me kalimin e kohës. Ndër to mund të përfshihen:

Lodhje e pazakontë dhe e vazhdueshme.
Vështirësi në frymëmarrje edhe pas një aktiviteti të lehtë.
Mavijosje të pashpjegueshme.
Simptoma që nuk largohen ose përkeqësohen.
Këto shenja nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht kancer, pasi mund të shkaktohen edhe nga sëmundje të tjera. Megjithatë, nëse vazhdojnë ose shfaqen së bashku, është e rëndësishme që fëmija të vlerësohet nga mjeku.

Pse është e rëndësishme kapja në kohë?
Sipas onkologut pediatrik, profesor Bob Phillips, prindërit duhet t’u kushtojnë vëmendje simptomave që vazhdojnë, përkeqësohen ose shtohen. Njohja e shenjave dhe konsultimi me mjekun mund të ndihmojnë që problemet serioze të identifikohen sa më herët dhe me mundësi më të larta për shpëtimin e jetës

Të Ngjashme