Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, ka reaguar për situatën e krijuar në Tiranë pas protestave të shoqëruara me episode dhune dhe përplasje mes demonstruesve dhe Policisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Schieder ka shprehur shqetësimin për zhvillimet në kryeqytetin shqiptar, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ndalin menjëherë përshkallëzimin e situatës.
Eurodeputeti thekson se dhuna nuk mund të justifikohet, pavarësisht nëse ushtrohet nga individë të përfshirë në protesta apo nga strukturat shtetërore dhe policia.
Schieder: Të rinjtë po kërkojnë arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta
Në reagimin e tij, raportuesi për Shqipërinë e vendos situatën në Tiranë në kontekstin e protestave të të rinjve në disa qytete europiane, përfshirë Parisin dhe Berlinin.
Sipas Schieder, kërkesat për përmirësimin e arsimit dhe garantimin e mundësive të barabarta janë legjitime dhe duhet të shërbejnë si nxitje për qeveritë që të rishikojnë politikat e tyre.
“Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve”, thekson ai në reagimin e tij.
Thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës
Duke iu referuar drejtpërdrejt situatës në Shqipëri, Schieder nënvizon se përdorimi i dhunës nuk është rrugëdalje, pavarësisht se nga cila palë vjen.
“Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, pavarësisht nëse vjen nga individë të dhunshëm që depërtojnë në protesta apo nga shteti dhe policia”, deklaron raportuesi i Parlamentit Europian.
Në përfundim, Schieder përsërit shqetësimin për zhvillimet në Tiranë dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.
