Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar katër raste të dhunës në familje dhe lëndimit të lehtë trupor në lokacione të ndryshme në Kosovë.
Në Prishtinë, dje është raportuar se një i mitur ka pësuar dhunë nga babai i tij.
Lidhur me rastin, organet e rendit sqaruan se viktima ka pranuar tretman mjekësor, e pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
“Rasti është në procedurë hetimore.” – thuhet në raportin e Policisë.
E në Fushë Kosovë është raportuar se pas një mosmarrëveshjeje në familje, një grua është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Policia njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore.
Tutje, për këtë, autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Lipjan, Policia njoftoi se një burrë e ka sulmuar babin e tij.
Sipas Policisë, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.
Ndërkohë, në Ferizaj është raportuar se më 20.10.2026 ka ndodhur një rast i lëndimit të lehtë trupor dhe dhunës në familje.
Policia sqaron se ka arrestuar një burrë nën dyshimet se pas një mosmarrëveshjeje familjare, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.
Lidhur me rastin, organet e rendit deklaruan se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
