Lajme

Kelmendi: E vërteta po del në sipërfaqe, krimet e luftës nuk falen nga ligji

Autoritetet ligjzbatuese në Kosovë njoftuan të dielën se kanë zbuluar një lokacion të ri në Zubin Potok, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Në një komunikatë të përbashkët, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale thanë se lokacioni u identifikua në fshatin Jabukë gjatë hetimeve që po zhvillohen lidhur me rastin në Zubin Potok.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se në këtë lokacion, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive, deri më tani janë gjetur të paktën katër trupa.

Sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tash janë zbuluar të paktën katër trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi”, tha Sveçla para mediave.

Juristi dhe profesori Muhamet Kelmendi thekson se krimet e luftës dhe gjenocidi nuk parashkruhen dhe duhet të hetohen e të ndiqen penalisht sa herë që ka prova.

Ai vlerëson se zbulimi i varrezave masive është i rëndësishëm për zbardhjen e krimeve dhe kërkon hetime të plota. Sipas tij, deklaratat që justifikojnë dëbimin e civilëve janë shqetësuese, ndërsa vlerësimi i përgjegjësisë ligjore u takon organeve të drejtësisë.

“Krimet e luftës janë ndër veprat më të rënda të së drejtës ndërkombëtare penale dhe, sipas parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, ato nuk parashkruhen. Sa herë që paraqiten prova dhe dëshmi të mjaftueshme, autoritetet kompetente kanë detyrimin të hetojnë, të arrestojnë të dyshuarit dhe të zhvillojnë procedura penale ndaj individëve përgjegjës. Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa përgjegjësia e shteteve mund të trajtohet në mekanizmat përkatës të së drejtës ndërkombëtare, sipas juridiksionit dhe procedurave të parashikuara.

Gjenocidi konsiderohet krimi më i rëndë kundër njerëzimit. Ai ndalohet nga Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948), si dhe nga një sërë instrumentesh të tjera ndërkombëtare, përfshirë Katër Konventat e Gjenevës (1949) dhe Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Autorët e krimeve të tilla mund të ndiqen penalisht edhe shumë vite pas kryerjes së tyre, pikërisht sepse këto vepra nuk i nënshtrohen parashkrimit.

Zbulimi i varrezave masive në territorin e Serbisë, përfshirë ato në zonën e Zubin Potokut dhe në lokacione të tjera ku janë gjetur mbetje mortore të viktimave të luftës në Kosovë, përbën një element të rëndësishëm hetimor. Këto zbulime kërkojnë hetime të plota, profesionale dhe të pavarura për të përcaktuar përgjegjësit individualë. Po ashtu, ato dëshmojnë për nevojën që krimet e kryera gjatë luftës të dokumentohen dhe të ndiqen pa vonesë.

Një aspekt shqetësues mbeten edhe deklaratat publike që mund të interpretohen si nxitje ose justifikim i dëbimit të popullsisë civile. Ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, duke mbrojtur një ministre të Partisë Socialiste të Serbisë, deklaroi:

“Është për të ardhur keq që akuzohet një ministre vetëm pse tha se në kohën e luftës shqiptarët është dashur të shkonin në Shqipëri, nëse nuk e kanë pranuar shtetin serb.”

Deklarata të tilla janë vlerësuar nga shumë analistë dhe organizata të të drejtave të njeriut si problematike, sepse mund të interpretohen si normalizim ose arsyetim i dëbimit të popullsisë civile. Megjithatë, vlerësimi nëse një deklaratë përbën provë të një politike shtetërore ose të ndonjë krimi ndërkombëtar është çështje që u takon organeve gjyqësore dhe hetimore, mbi bazën e provave”, shpreh ai.

Kelmendi thekson se pasojat e luftës në Kosovë ende ndihen për shkak të viktimave dhe personave të zhdukur.

Ai kërkon vazhdimin e hetimeve për krimet e luftës, bashkëpunim mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ndjekjen penale të përgjegjësve.

Sipas tij, krimet e tilla nuk vjetrohen dhe drejtësia për viktimat është një detyrim ligjor dhe moral për të siguruar paqe të qëndrueshme.

“Lufta në Kosovë la pas mijëra viktima. Sipas të dhënave të dokumentuara nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, mbi 13.000 persona u vranë, rreth 800.000 shqiptarë u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Edhe sot vazhdon kërkimi për qindra persona të zhdukur, ndërsa familjet e tyre ende presin zbardhjen e fatit të më të dashurve.

Prandaj, vazhdimi i hetimeve për krimet e luftës mbetet detyrim ligjor dhe moral. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm hetimesh dhe procedurash penale për krimet e luftës. Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe partnerëve ndërkombëtarë do të ndihmonte në sigurimin e provave, identifikimin e autorëve dhe vendosjen e drejtësisë.

Në të njëjtën kohë, mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë dhe institucionet shtetërore duhet të vazhdojnë të mbështesin procesin e dokumentimit të krimeve, identifikimit të varrezave masive dhe ndjekjes penale të personave përgjegjës. Vetëm përmes zbatimit të ligjit, respektimit të së vërtetës dhe ndëshkimit të autorëve mund të ndërtohet një paqe e qëndrueshme dhe të parandalohet përsëritja e krimeve të tilla.

Drejtësia për viktimat nuk është vetëm një detyrim juridik. Ajo është një detyrim moral ndaj historisë, ndaj familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre dhe ndaj brezave që meritojnë të jetojnë në një rajon ku krimet nuk mohohen, por hetohen dhe ndëshkohen në përputhje me ligjin e vendit dhe me konventat nderkombetare.

Veprat e tilla nuk vjeteresohen” – përfundon ai për “Bota sot”.

Të Ngjashme