Lajme

Kërkohet paraburgim për të pandehurin për vrasje të rëndë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurit me inicialet S.L. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30-ditësh.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet S.L. më datë 10 tetor 2026 në ora 16:30 në fshatin Pjetërshan të Gjakovës, pas një mosmarrëveshjeje pronësore, me dashje ka tentuar ta privonte nga jeta vëllain e tij H.L. si dhe ka rrezikuar jetën e kushëririt të tij P.L. duke shtënë katër herë me armë zjarri të tipit AK-47. Si pasojë e të shtënave, të dy të dëmtuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë.

Po ashtu, i pandehuri S.L. ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët të Republikës së Kosovës, dhe atë armën automatike të tipit AK-47 ,  1 (një) pushkë gjuetie, 10 (dhjetë) fishekë të cal.12ga dhe një (1) fishek i cal 7.62mml.

Me këto veprime, i pandehuri me inicialet S.L. ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafët 1.3 dhe 1.11, lidhur me nenin 28, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1, i kodit penal të Republikës së Kosovës.

Të Ngjashme