Shkencë & Teknologji

Këto janë të dhënat që nuk duhet t’ia jepni ChatGPT-së

ChatGPT është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve, të cilët e përdorin për gjithçka, nga recetat dhe CV-të, deri te këshillat për shëndetin dhe problemet në punë.

Por përdorimi gjithnjë e më i madh i chatbotëve po ngre shqetësime te ekspertët e privatësisë, të cilët paralajmërojnë se disa informacione personale dhe konfidenciale nuk duhet të ndahen në bisedat me inteligjencën artificiale.

Sipas ekspertëve të cituar nga “HuffPost”, përdoruesit duhet të shmangin ndarjen e të dhënave që mund t’i identifikojnë drejtpërdrejt.

Të dhënat personale

Emri i plotë, adresa, numri i telefonit, numri personal, të dhënat e pasaportës, patentës apo dokumenteve të tjera zyrtare janë ndër informacionet që këshillohet të mos ndahen.

Ekspertët rekomandojnë që edhe para ngarkimit të një dokumenti për analizë të hiqen të dhënat që mund të identifikojnë personin.

Problemet dhe informacionet intime

Komunikimi natyral me chatbotët mund t’i bëjë përdoruesit të ndajnë histori familjare, probleme personale apo informacione intime.

Ekspertët paralajmërojnë se një chatbot nuk duhet trajtuar si psikolog, mjek apo avokat, pasi nuk ka të njëjtat detyrime profesionale dhe ligjore për konfidencialitet.

Dokumentet mjekësore


Raportet mjekësore dhe analizat laboratorike mund të përdoren për të marrë shpjegime nga inteligjenca artificiale, por këshillohet që paraprakisht të fshihen emri, datëlindja, numri personal dhe të dhënat e tjera identifikuese.

Informacionet e kompanisë

Raportet e brendshme, kontratat, të dhënat e klientëve, kodet burimore dhe dokumentet që mbrohen nga marrëveshjet e konfidencialitetit nuk duhet të ngarkohen pa autorizim.

Një veprim i tillë mund të krijojë probleme ligjore, kontraktuale ose rregullatore për punonjësin dhe kompaninë.

Të dhënat financiare

Numrat e llogarive bankare, të dhënat e kartave të kreditit, informacionet mbi investimet, të ardhurat dhe deklaratat tatimore janë gjithashtu informacione që duhet të mbahen larg chatbotëve.

Ekspertët këshillojnë përdoruesit të kontrollojnë cilësimet e privatësisë në platformat e inteligjencës artificiale dhe, kur është e mundur, të kufizojnë përdorimin e bisedave për trajnimin e modeleve.

Një alternativë është përdorimi i pseudonimeve ose përshkrimeve të përgjithshme në vend të emrave dhe të dhënave reale, duke i dhënë chatbotit kontekstin e nevojshëm pa ekspozuar informacionet personale apo konfidenciale.

Të Ngjashme