Një automjet i Policisë së Kosovës është parë të hënën i stacionuar mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë.
Lëvizja vjen në kohën kur KFOR-i ka konfirmuar nisjen e tranzicionit gradual të pranisë së tij të përhershme nga kjo urë. Sipas KFOR-it, procesi lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe me optimizimin e pozicionimit të forcave të misionit.
Për këtë ndryshim nuk është folur shumë publikisht gjatë muajve të fundit, ndërsa më herët kishte raportime se çështja ishte diskutuar për një periudhë të gjatë.
Lidhur me zhvillimet, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se Berlini mbetet i përkushtuar ndaj kontributit të tij në KFOR dhe ndaj mandatit të misionit për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë.
“Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj kontributit të saj në KFOR, të mandatuar nga Bundestagu, si dhe ndaj misionit të KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Gjermanisë.
