Lajme

KFOR zhvillon trajnim për evakuim mjekësor me helikopterë në Prishtinë dhe Ferizaj

Ushtarët e degës së përbashkët mjekësore të misionit të KFOR-it (JMED), në bashkëpunim me personelin e Komandës Rajonale-Lindje (RC-E), kanë zhvilluar një trajnim për evakuim mjekësor dhe familjarizim me helikopterët në Kampin Film City në Prishtinë dhe Kampin Bondsteel në Ferizaj.

Trajnimi mblodhi personel mjekësor shumëkombësh dhe ekuipazhe të aviacionit nga e gjithë zona e operimit të KFOR-it, me qëllim forcimin e kapaciteteve për reagim në raste emergjente mjekësore.

Gjatë ushtrimit u realizuan procedura praktike për ngarkimin dhe shkarkimin e pacientëve nga helikopterë aktivë dhe joaktivë, si dhe u ushtruan procedurat e ngritjes së pacientëve me vinç ajror (hoisting).

Sipas KFOR-it, përmes trajnimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, pjesëmarrësit përmirësuan njohuritë mbi sigurinë në aviacion dhe forcuan bashkëpunimin profesional mes njësive të misionit.

KFOR theksoi se ky trajnim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për ruajtjen e gatishmërisë mjekësore dhe ndërgjegjësimit situacional, duke kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.

Misioni i KFOR-it vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Të Ngjashme