Ndryshime të mëdha po vijnë në “Portokalli”, pas konfirmimit të rikthimit të Agron Llakajt në spektaklin e humorit pas plot 16 vitesh.
Në formulën e re të programit, Kiara Tito do të jetë e vetmja bashkëprezantuese në krah të Agron Llakajt.
Ky është një ndryshim i dukshëm nga struktura e viteve të fundit. Sezonin e kaluar, drejtimi i “Portokalli” iu besua Salsano Rrapit, Kiara Titos dhe Nevina Shtyllës, ndërsa prej disa sezonesh spektakli kishte konsoliduar formulën me dy bashkëmoderatore në krah të moderatorit kryesor.
Me rikthimin e Llakajt, i cili do të jetë njëkohësisht drejtues, moderator dhe aktor, produksioni duket se ka zgjedhur një formulë më të reduktuar në moderim. Top Channel ka konfirmuar se Agroni rikthehet 16 vite pas largimit të tij dhe se sezoni i ri do të nisë më 2 tetor me shfaqjen live, ndërsa më 4 tetor në ekran.
Por surprizat nuk përfundojnë këtu.
Burime të Prive By Liberta Spahiu konfirmojnë se edhe Xhemi Shehu do të rikthehet në “Portokalli”, por këtë herë jo në rolin me të cilin publiku e ka identifikuar prej vitesh. Ish prezantuesja ikonike e spektaklit do të jetë pjesë e kastit të aktorëve.
Xhemi ka një histori të gjatë me “Portokalli” dhe për vite me radhë ka qenë një prej figurave kryesore të moderimit të formatit, përfshirë edhe periudhën kur drejtonte spektaklin përkrah Salsano Rrapit.
Pra, sezoni i ri pritet ta gjejë “Portokalli” me Agron Llakajn dhe Kiara Titon në drejtim, ndërsa Xhemi Shehun në një pozicion krejt tjetër brenda skenës së humorit.
View this post on Instagram
