Prodhuesit e produkteve të higjienës personale dhe shtëpiake nuk bëjnë të ditur përdorimin e kimikateve të lidhura me kancerin dhe toksinave që dëmtojnë sistemin endokrin, ka treguar një seri testesh të kryera mbi 113 marka.
Në një studim të botuar nga American Chemical Society, studiuesit thanë se gjetën “ndotës të përhapur dhe etiketim të gabuar” në 12 kategori të mallrave të konsumit, duke ngritur pikëpyetje rreth “transparencës së produkteve”.
Studiuesit e Million Marker Research Institute (MMRI), një organizatë jofitimprurëse me bazë në Kaliforni që kryen testime të produkteve, renditën pastruesit shtëpiakë, produktet intime, vajrat esencialë dhe shamponët ndër artikujt që kishin më shumë gjasa të ishin të etiketuar gabimisht.
Pasta e dhëmbëve, shpëlarësit e gojës dhe produkte të tjera për kujdesin oral kishin më pak gjasa të përmbanin përbërës të fshehur një ndryshim që studiuesit besojnë se lidhet me faktin që shumë prej këtyre produkteve klasifikohen si ilaçe pa recetë, dhe jo si kozmetikë, dhe për këtë arsye kërkojnë shqyrtim nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) përpara se të miratohen për shitje.
“Pothuajse të gjitha produktet (98%) përmbanin të paktën një kimikat të paetiketuar dhe 85% përmbanin të paktën një kimikat me rreziqe të njohura ose të dyshuara për shëndetin, ndërsa produktet përmbanin mesatarisht më shumë se tre herë më shumë kimikate sesa ato të renditura në etiketa,” raportoi MMRI.
Kimikatet e fshehura të gjetura nga ekipi janë lidhur me “pasoja të pafavorshme për shëndetin”, përfshirë kancerin dhe infertilitetin.
Studiuesit thanë se, ndërsa shumë prej produkteve të testuara tregtoheshin si “natyrale”, “jo toksike” ose “pa aromë”, rreth një në katër prej tyre u zbulua se përmbanin kimikate që “kundërshtonin drejtpërdrejt pretendimet e bëra në etiketë.”
“Vetëm kontrolli i përbërësve është i pamjaftueshëm për të karakterizuar plotësisht përbërjen kimike dhe profilin e rrezikut të produkteve të konsumit,” thanë studiuesit, të cilët bëjnë thirrje për testime gjithëpërfshirëse që shkojnë përtej analizimit të përbërësve./DPA News
