Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Valon Hoti, ka kritikuar opozitën lidhur me çështjen e protezave për invalidët e luftës, duke e akuzuar për manipulim politik me temat që lidhen me UÇK-në dhe kategoritë e dala nga lufta.
Në një postim në Facebook, Hoti ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj opozitës, duke e cilësuar qasjen e saj si “opozitarizëm të paskrupullt”.
Ai ka pretenduar se, sipas tij, opozita po përpiqet të përfitojë politikisht duke shfrytëzuar çështjet që lidhen me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sa i përket mbështetjes për protezat e invalidëve të luftës, Hoti ka thënë se Qeveria e ka zgjidhur këtë çështje për herë të parë pas luftës, në vitin 2024.
Postim i plotë:
Opozitarizëm i paskrupullt
Kanë vjedhur e plaçkitur gjithçka që kanë mundur për dy dekada, në emër të UÇK-së e të luftës. Tash vazhdojnë përpjekjet për të manipuluar, sërish mbi kurrizin e luftës dhe të UÇK-së, në përpëlitjet e tyre të dëshpëruara për të fituar ndonjë poen politik.
Çështjen e protezave, Qeveria e ka zgjidhur për herë të parë pas luftës, në vitin 2024.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga ajo kohë, asnjë invalid i luftës që ka aplikuar nuk ka mbetur pa mbështetje financiare, e cila mbulon 100% të vlerës së nevojshme.
Sipas ministrit të financave, meqenëse kjo çështje është institucionalizuar para më shumë se dy vitesh, buxheti për këtë kategori është pjesë e fondit që menaxhohet në kuadër të strukturës së Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë kategori ka mjete të mjaftueshme për secilin që aplikon për mbështetje.
Pra, nuk ka mungesë të mbështetjes, nuk ka mungesë të mjeteve financiare. Ka opozitë të çoroditur, e cila vazhdon përpjekjet për manipulim dhe keqpërdorim kudo dhe me këdo që mundet, duke mos kursyer as temat që kanë ndjeshmëri kaq të madhe.
