Kuriozitete

Koçiu dënon dhunën në protestën te Ministria e Arsimit: Nuk është gjuha me të cilën duhet të shprehet rinia

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet e fundit në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit, duke dënuar aktet e dhunës.

Në reagimin e saj, Koçiu shpreh keqardhje për mënyrën se si, sipas saj, është shndërruar kultura e protestës.

“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve,” shkruan ajo.

Zëvendëskryeministrja thekson se dhuna nuk përbën zgjidhje në asnjë rrethanë.

“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje,” nënvizon Koçiu, duke shtuar se “zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, thekson Koçiu.

Të Ngjashme