Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar nga Qyteti Studenti lidhur me ngjarjet e katër ditëve të fundit në Tiranë, duke dënuar ashpër aktet e dhunës, vandalizmin dhe sulmet ndaj institucioneve publike, bizneseve dhe Policisë së Shtetit.
Në deklaratën e saj, Koçiu u shpreh se Qyteti Studenti, një hapësirë që duhet të jetë simbol i dijes, ëndrrave dhe së ardhmes së të rinjve, është kthyer në shënjestër të dhunës dhe frikës.
Ajo theksoi se ngjarjet e fundit janë të papranueshme dhe nuk përfaqësojnë frymën e studentëve. Sipas saj, studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk cenojnë sigurinë e bashkëmoshatarëve dhe nuk ushtrojnë dhunë ndaj institucioneve arsimore, ndërsa nënvizoi se kërkesat e tyre meritojnë të dëgjohen dhe të marrin përgjigjet e duhura.
“Nuk është kjo protesta e studentëve. Studentët nuk shkatërrojnë konviktet, nuk frikësojnë bashkëmoshatarët, nuk dhunojnë shkollat dhe vendin e tyre. Ne e kemi thënë që në krye të herës se ata meritojnë të dëgjohen dhe kërkesat e tyre të marrin përgjigje”, deklaroi Koçiu.
Zëvendëskryeministrja garantoi se shteti do të veprojë për të mbrojtur qytetarët dhe se çdo akt dhune do të hetohet deri në fund. Ajo evidentoi se gjatë ditëve të fundit janë regjistruar institucione të djegura, biznese të dëmtuara, qytetarë të frikësuar dhe efektivë policie të sulmuar.
Koçiu përsëriti se Shqipëria nuk mund të mbahet peng nga dhuna, maskat dhe frika, duke theksuar se vendi ka zgjedhur rrugën e zhvillimit dhe integrimit europian.
Nga Qyteti Studenti, ajo u bëri thirrje studentëve që jetojnë në konvikte të qëndrojnë të qetë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, ndërsa shprehu mirënjohjen për efektivët e Policisë së Shtetit për angazhimin në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Dua të inkurajoj studentët që jetojnë në këto godina të jenë të qetë. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit dhe t’u bëj thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, pasi policia është aty për të garantuar sigurinë dhe rendin publik”, tha Koçiu.
