Lajme

​Koha kur Daçiq kërkonte Serbia të bëjë vetëvrasje kolektive nëse i kalon Shqipëria

Ish-kryeministri i Serbisë, tash zëvendësministër në detyrë, Ivica Daçiq, ka shfaqur pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës, duke nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë kur zëvendëskryeministri i saj Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”.

Deklarata e tij u dënua ashpër nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufca, i cili tha se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës.

Konjufca ka përkujtuar se Serbia nuk mund të pretendojë për paqe dhe integrim evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Kosovës.

“Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. Sovraniteti i Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, porositi Konjufca.

Ndërsa ish-ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, në reagimin e tij, deklaratat e Ivica Daçiq i cilësoi si pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj.

“E mjera Serbi! Ivica Daçiq dëshiron që flamuri serb të valojë mbi Prizren. Pretendimet territoriale ndaj një fqinji më lënë pa fjalë. Votuesit serbë duhet ta dinë se për çfarë po vendosin më 25 tetor. Kjo rrugë çon në luftë. Nuk çon drejt BE-së. Jo më para të BE-së për Serbinë!”, ka shkruar Roth në X.

Kërcënimet e fundit të Daçiq për pushtim të Republikës së Kosovës ndërlidhen edhe me urrejtjen që Serbia dhe Daçiq ka ndaj shqiptarëve në përgjithësi duke deklaruar haptas me dhjetëra herë, por edhe në një intervistë që ai kishte dhënë në RTS.

Kujtojmë, po i njëjti Daçiq, i njohur si “Slloba i vogël”, para më shumë se 13 vjetësh, më saktësisht, 22 prill 2013, në një intervistë për televizionin shtetëror serb RTS, kishte treguar një urrejtje patologjike ndaj kombit shqiptar.

Daçiq kishte deklaruar nëse Shqipëria tejkalon Serbinë nga ana e zhvillimit ekonomik, “kjo do të thotë se ne si popull, duhet të kryejmë kolektivisht harakiri” (japonisht – vetëvrasje).

Në atë kohë Ivica Daçiq në pozitën e kryeministrit të Serbisë për një orë “arsyetonte nevojën” e hapjes së Serbisë me Evropën dhe pa mundësinë e ripushtimit të Kosovës pavarësisht kërkesave të popullit dhe kishës serbe.

Ne po sjellim vetëm një pjesë nga intervista (minuta 53 ). Intervista e plotë është në këtë link (Intervista është e televizionit shtetëror serb RTS)

Daçiq:

“Është e lehtë, është e lehtë. Isha në Lituani para disa ditësh. Është një vend i vogël, me tre milionë banorë. Nga viti 2007 deri më sot, pra për pesë vjet, ka marrë shtatë miliardë euro për reforma strukturore nga Bashkimi Evropian.

Dhe tani dikush do të më shpjegojë këtu se Bashkimi Evropian nuk është në interes të Serbisë. Po çfarë është në interes të Serbisë?”

Gazetari:

“Në interes të Serbisë dhe Lituanisë është që këto reforma strukturore t’i kenë sjellë ndonjë përfitim popullsisë. Çfarë ju thanë për këtë?

Daçiq:

“Absolutisht. Ata tani kanë 18 mijë ose 19 mijë dollarë për banor. Po Serbia? Çfarë ka Serbia?

E dini çfarë?

Nëse Shqipëria na tejkalon në zhvillim, atëherë mendoj se të gjithë ne së bashku, si popull, duhet të bëjmë harakiri kolektiv.”

Gazetari:

“Kjo nuk do të thotë se i dëshironi diçka të keqe Shqipërisë.”

“Nuk i dëshiroj të keqen, por Shqipëria gjithmonë ka qenë sinonim për diçka nga më të këqijat. E kam fjalën në kuptimin ekonomik.

Madje thuhet se mjerë Shqipëria që është në Perëndim. Do të na kalojë edhe Maqedonia.

Unë flas hapur dhe sinqerisht. Kjo nuk është koha për fshehtësi, për fjalime të mëdha apo për shumë filozofi.

Të Ngjashme