Vdekja e një punonjëseje në një laborator në Siberi, pas një pneumonie të papërcaktuar, ka ngritur pikëpyetje mbi shkaqet e ngjarjes dhe rrezikun e mundshëm të përhapjes së një sëmundjeje infektive.
Epidemiologu Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Syri i Botës” në SYRI TV, në një intervistë me Dori Dakën, shpjegoi se përse laboratorët që punojnë me patogjenë të rrezikshëm kërkojnë vëmendje të shtuar.
Alimehmeti theksoi se, bazuar në informacionet e bëra publike, murtaja pulmonare duket një mundësi gjithnjë e më pak e mundshme, pasi shumica e rreth 200 personave të izoluar si kontakte të së ndjerës janë liruar pa shfaqur simptoma.
Megjithatë, ai nënvizoi se OBSH-ja ka kërkuar sqarime nga autoritetet lokale dhe solli si shembull përvojën e pandemisë COVID-19, kur vonesat dhe mungesa e informacionit të qartë ndikuan në reagimin ndërkombëtar.
Intervista:
Daka: Për shkak të kujtimit dramatik të COVID-19, me zotin doktor Ilir Alimehmeti, epidemiolog në këtë rast. Përshëndetje doktor, kënaqësi që ju kam në “Syrin e Botës” për herë të parë.
Alimehmeti: Përshëndetje, faleminderit juve për ftesën.
Daka: Atëherë, kur dëgjuat për herë të parë për këtë ngjarje në këtë laborator të largët në Siberi, çfarë menduat dhe për çfarë bëhet fjalë konkretisht nga informacionet që keni deri më tani?
Alimehmeti: Atëherë patjetër, neve çdo lloj laboratori që merret me patogjenë të rrezikshëm e shohim me një kujdes të shtuar, sepse janë zona burime të mundshme shpërthimi epidemish. Dhe kjo është arsyeja pse ato kanë nivelet e tyre të sigurisë dhe ka nivele, laboratorë të niveleve të ndryshme sigurie. Dhe atëherë kur pati një situatë, pra me një punonjëse e cila ndërroi jetë me një pneumoni të papërcaktuar, se kështu është deri tani qëndrimi zyrtar, patjetër dyshimet e para që ngrehen janë mos ka të bëjë kjo me një prej patogjenëve me të cilët ajo punonte. Dhe është krejtësisht dyshim i logjikshëm. Duke qenë se ky ishte një laborator që punonte me murtajën, siç ju e përmendët pak më parë, atëherë murtaja kërkohet e para dhe është testuar për këtë lloj sëmundjeje. Por gjithashtu neve kemi disa të dhëna nga Rusia që nuk janë të plota. Pra, thuhet që janë testuar, janë bërë rreth 5000 testime, por nuk është thënë se çfarë është testuar. Pra, çfarë po kërkojnë ata? Në njoftimet e tyre thuhet që nuk janë gjetur patogjenë të cilët, me të cilët punohej në laborator, pra në një farë mënyre mundohen ta nxjerrin këtë gjë jashtë këtij laboratori. Por le të shohim dhe disa fakte që janë më konkrete. Nëse kjo do ishte një murtajë dhe do ishte një murtajë e formës pulmonare, dhe kjo është forma më e rrezikshme e saj, dimë që janë izoluar rreth 200 persona që kanë qenë në kontakt me këtë vajzë fatkeqe.
Daka: A është numër i madh ky? 200 persona, sa mund të jetë, por një skuadër kërkuesish apo është ndoshta i gjithë laboratori?
Alimehmeti: Po varet, kjo varet nga numri i kontakteve që ka pasur personi. Pra, në qoftë se ka qenë për shembull në një ambient me shumë vetë, mund të ishin dhe 1000 vetë. Në qoftë se s’ka takuar asnjë, pra tre-katër kolegë dhe dy-tre familjarë, mbetet një numër i vogël. Kjo varet nga sa kontakte ka pasur. Pra, në këtë rast 200 vetë kanë deklaruar ata fillimisht të marrë në karantinë. Kujtoj që ajo ka ndërruar jetë në datë 2 nëntor, dhe koha e inkubimit të murtajës pulmonare, formës pulmonare të murtajës, është një deri në tre ditë. Që do të thotë neve sot në datën 9 do duhet të kishim parë raste të tjera ndërmjet këtyre 200. Në fakt, ata janë tani duke u liruar, 90% e tyre janë liruar, nuk kanë asnjë lloj shenje, nuk kanë asnjë lloj situate shqetësuese asnjë prej tyre, dhe ky është fakt. Që do të thotë, ka shumë mundësi që murtaja pulmonare të jetë e përjashtueshme në këtë diskutim. Nuk jemi të sigurt, por ka një mundësi të jetë të madhe. Ajo që bën pikëpyetje është që hyn në lojë tashmë dhe OBSH-ja, ka ngritur disa pyetje për autoritetet në zonën e Irkutskut dhe nuk ka marrë përgjigje. Dhe ajo dëshiron të ketë një përgjigje se ka pasur pyetje mediatike për sa i përket situatës që atje po ndodhte, pra dyshime mediatike, dikush thotë fake news, dikush thotë jo fake news, ne s’kemi nga ta dimë se nuk jemi atje, dhe OBSH-ja nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare në këtë drejtim. Po presim të sqarohet. Por ajo që ndodhi me Covid-in, dhe ju me të drejtë e përmendët pak më parë, pra ajo lloj situate fillestare që ndodhi me Covid-in që ishte Kina dhe OBSH-ja sërish në lojë, fillimisht u thoshte andej ‘nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu’, në qoftë se ju e mbani mend. Më pas ‘janë të izoluara, nuk ndodhen, nuk është hapur jashtë shtetit të Kinës’, ndërkohë që Tajvani kishte mbi një muaj që kishte deklaruar raste, por Tajvani është një shtet që Kombet e Bashkuara nuk e njohin, si rrjedhim OBSH-ja nuk merr, nuk pranon një njoftim nga shteti i Tajvanit. Pra një arsye politike që kthehet në një arsye shëndetësore globale. E më pas filloi u tha që nuk ekzistojnë rastet asimptomatike por janë të gjithë të sëmurë rëndë e me radhë, duke mos bërë të mundur që shtetet të ngrenin kapacitete për ta bllokuar herët sëmundjen. Kjo është arsyeja pse ne tashti i kemi këto antenat e ngritura më shumë dhe i shohim me më kujdes zhvillimet, jo që mund të jenë fare mirë asgjë, mund të jetë diçka krejtësisht e vogël, krejtësisht sporadike nga ato që ndodhin në natyrë…
