Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti të dielën ka vizituar familjen e Salih Mëziut dhe Idri Rrecaj në Marinë e Llaush të Skenderaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok.
Kurti ka thënë se këto familje kanë marrë përgjigje për të afërmit e tyre, por kanë nevojë për drejtësi.
“Sot në Marinë dhe në Llaushë të Skenderajt vizituam familjet e veprimtarëve Salih Mëziu dhe Idriz Rrecaj, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë nga forcat e armatosura të Serbisë në prill të vitit 1999, mbetjet mortore të të cilëve u gjetën në varrezën masive në Zubin Potok dhe të cilët u identifikuan javë më parë nëpërmjet ADN-së. Këto dy familje, sikur ajo e Adem Beqirit i cili u varros më 3 tetor, kanë marrë përgjigje por kanë nevojë për drejtësi”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se trysnia e faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë përveç e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.
“Për më të dashurit e më shumë se 1500 personave tjerë ende të zhdukur nga lufta e fundit, dhimbja është tejet e madhe, ndërsa pritja përplot ankth. Trysnia ndërkombëtare mbi Serbinë që mbron e glorifikon kriminelët, fsheh e mohon krimet, sikurse mbyll e klasifikon dosjet, teksa vazhdon me mendësinë e viteve të ’90-ta, përveçse e domosdoshme, është e vetmja mënyrë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe për t’i dhënë shans drejtësisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
