Lajme

Kolona kilometrike drejt bregdetit kroat, pritje të gjata edhe në kufirin me Malin e Zi

Qarkullimi është rënduar ndjeshëm në rrugët kryesore që çojnë drejt bregdetit të Kroacisë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje shoferëve që të përshtatin shpejtësinë dhe mënyrën e drejtimit me kushtet në rrugë.

Sipas Klubit Kroat të Automobilizmit, në autostradën A1 Zagreb–Split–Dubrovnik ka ndodhur një aksident trafiku mes zonës së pushimit Draganiq dhe nyjës Karlovac, në drejtim të Dubrovnikut.

Si pasojë e aksidentit, është krijuar një kolonë automjetesh që në një moment ka arritur deri në 25 kilometra, ndërsa më vonë është reduktuar në disa kilometra.

Trafik i dendur raportohet edhe në rrugën shtetërore DC1 Zagreb–Karlovac–Split, e njohur si rruga e vjetër e Karlovacit, të cilën shumë shoferë po e përdorin si alternativë. Lëvizja nga Zagrebi drejt Karlovacit po zhvillohet ngadalë, ndërsa ngadalësime ka edhe në zonën e punimeve mes Kninit dhe Graçacit, pranë Otriqit.

Kolona janë krijuar edhe në autostradat A2, A3 dhe A4, si dhe në unazën e Zagrebit. Në pikën e pagesës Trakošçan, në drejtim të Zagrebit, kolona është rreth një kilometër, ndërsa pranë pikës së pagesës Luçko arrin rreth dy kilometra.

Pritje dhe kolona janë raportuar edhe në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ku fluksi i madh i turistëve ka shkaktuar vonesa gjatë kalimit të kufirit.

Autoritetet u kanë kërkuar udhëtarëve që ta planifikojnë udhëtimin me kohë dhe të ndjekin informacionet më të fundit për gjendjen në trafik.

Të Ngjashme