Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, ka pritur sot në një takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë, Drejtues Madhor Skender Hita, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtarë të lartë policorë të Shqipërisë. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj.
Drejtori Hoxha i uroi mirëseardhje drejtorit Hita dhe shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe partneritetin ndërmjet dy institucioneve policore, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe ruajtjes së rendit publik.
Me këtë rast, drejtori Hoxha prezantoi prioritetet strategjike, aktivitetet operative dhe angazhimet institucionale të Policisë së Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Po ashtu, u theksua se Policia e Kosovës posedon kapacitete profesionale dhe operative për përballimin e sfidave të sigurisë, duke vazhduar angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar, krimit transkufitar dhe dukurive tjera negative që cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Në takim u vlerësua lart bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë, bashkëpunim i cili ka dhënë rezultate konkrete në shumë fusha, përfshirë shkëmbimin e informacioneve, hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore, luftimin e grupeve kriminale, si dhe menaxhimin e sigurisë kufitare.
Nga ana e tij, Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi drejtorin Hoxha për mikpritjen, duke theksuar se marrëdhëniet ndërmjet dy policive simotra përbëjnë një model bashkëpunimi të bazuar në besim reciprok, profesionalizëm dhe vizion të përbashkët për sigurinë.
Drejtori Hita rikonfirmoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët, me synim garantimin e sigurisë për qytetarët e të dy vendeve.
Takimi përfundoi me zotimin e përbashkët të dy institucioneve policore për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral dhe zgjerimin e tij edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë
