Lajme

Komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin turk, diskutojnë për sigurinë në Kosovë dhe rajon

Komandanti i Forcës së Kosovës (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është takuar me gjenerallejtënant Sebahattin Kılınç, Shef i Komandës së Përbashkët Strategjike Ndërkombëtare të Shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Turqisë.

Takimi u mbajt në selinë e KFOR-it në Prishtinë, ku në fokus të diskutimeve ishte situata e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş ka riafirmuar përkushtimin e misionit të udhëhequr nga NATO për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Në prag të Transferimit të Autoritetit, të planifikuar për 14 tetor, Ulutaş ka shprehur vlerësimin për kontributin e vazhdueshëm të Turqisë në misionin e KFOR-it, si dhe e ka falënderuar gjenerallejtënant Kılınç për mbështetjen e tij.

KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës.

Ky mision ka bërë të ditur se detyrat e tij i kryen në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet përkatëse të tyre në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.

Të Ngjashme