Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka komentuar deklaratat e Vjosa Osmanit në një tubim në Prishtinë, ku ajo tha se Albin Kurti, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-kryenegociatorin Miroslav Lajçak, për orë të tëra kanë qëndruar të mbyllur në një dhomë dhe, sipas saj, ajo nuk e di se çfarë është diskutuar aty.
Konjufca u shpreh se dhoma e negociatave në Bruksel është pjesë normale e procesit diplomatik dhe se aty zhvillohen takime të gjata me praninë e ndërkombëtarëve.
Sipas Konjufcës, Osmani po përdor dy tema kryesore në diskursin e saj politik – raportet me SHBA-në dhe Serbinë – për të sulmuar Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin.
Mes tjerash, Konjufca tha se të njëjtin diskurs e kanë përdorur edhe partitë opozitare, PDK dhe LDK, të cilat prej vitesh kanë përdorur të njëjtat tema politike, por pa sukses zgjedhor.
“Ajo është dhoma e Brukselit, e negociatave ku natyrisht që rrihet me orë të tëra e ku janë të gjithë ndërkombëtarët. Por çfarë është duke ndodhur tash është që Vjosa Osmani është duke përdorur dy tema që janë Amerika dhe Serbia. Amerikën po e përdor siç e ka përdorur PDK-ja dhe LDK-ja, që prej gjashtë vjetësh po mendojnë me e mbrojt Amerikën prej Albin Kurtit, pasi mendojnë se Amerika është e rrezikuar dhe këta kanë mbetur me dalë e me e mbrojt. E dyta, me frikësu popullin me Serbinë. Kjo që është më e fuqishme e Vetëvendosjes me Serbinë – krejt ai ndryshim që ka ndodhur në veri sipas saj është iluzion dhe nuk ka ndodhur, të gjitha janë rrena. ‘Ajo që unë e di është shumë e rëndësishme njëfarë gogoli’ – PDK-ja e LDK-ja këtë temë e kanë përdorur që 6 vjet, tri palë zgjedhje i kanë humbur me këto tema dhe të katërtat kanë për t’i humbur”, u shpreh Konjufca.
Konjufca komentoi edhe raportin politik të Osmanit me Kurtin, duke thënë se ish-presidentja po përpiqet të fitojë mbështetje duke e sulmuar ish-aleatin e saj politik.
“Osmani nuk mund të fitojë vota duke thënë se Albin Kurti është më i miri, ajo po mundohet të fitojë vota duke thënë se Albin Kurti është më i keqi. Këtë rrugë e ka zgjedhur dhe nuk po e di se kjo rrugë nuk funksionon. Ne jemi ata që kemi qenë më 2021. Albin Kurti është ai i vitit 2021 për të cilin ajo thoshte se është më i miri”, u shpreh Konjufca.
