Lajme

Konjufca në Sofje: Integrimi evropian duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në merita

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror të Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje të Bullgarisë, me rastin e 30-vjetorit të këtij formati rajonal.

Ai ka theksuar se përkundër përparimit të rajonit gjatë tri dekadave të fundit, zhvillimet aktuale gjeopolitike kërkojnë përkushtim më të madh ndaj paqes, stabilitetit dhe integrimit evropian.

“Në fjalën time theksova se Evropa Juglindore ka bërë përparim të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por se realiteti i sotëm gjeopolitik kërkon qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe orientimit evropian e euro-atlantik të rajonit. Integrimi evropian duhet të mbetet proces i besueshëm, i drejtë dhe i bazuar në merita, ku përparimi i Kosovës në demokraci, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias dhe zhvillim ekonomik njihet dhe përkthehet në hapa konkretë në rrugën tonë evropiane”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka vënë theksin edhe te rëndësia e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, duke përmendur projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës si një ndër prioritetet strategjike të Kosovës.

“Bashkëpunimi rajonal bëhet i qëndrueshëm kur përkthehet në projekte dhe marrëveshje që lehtësojnë jetën e qytetarëve. Për Kosovën, avancimi i hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirja e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T është një projekt strategjik për lidhshmërinë e vendit tonë dhe të rajonit me Bashkimin Evropian. Po aq të rëndësishme janë zbatimi i marrëveshjeve për njohjen e diplomave dhe lirinë e lëvizjes, si dhe avancimi i marrëveshjeve për të drejtat e sigurimeve sociale dhe lejet e punës. Këto janë hapa që e bëjnë bashkëpunimin më konkret, integrimin më të prekshëm dhe të ardhmen evropiane më të afërt për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.

Gjatë qëndrimit në Sofje, Konjufca ka zhvilluar edhe një takim dypalësh me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova, me të cilën ka diskutuar për procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“Bullgaria është partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe mbështetëse e vlefshme e rrugës sonë evropiane. Biseduam për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit në BE, për rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të bazuar në merita, për perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Konjufca.

Ai ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian dhe forcimit të rolit të saj në stabilitetin rajonal.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet me vendosmëri që përparimi i saj demokratik, orientimi i saj evropian dhe kontributi i saj për stabilitetin rajonal të përkthehen në hapa konkretë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Të Ngjashme