Lajme

Konjufca: Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e Ballkanit.

Konjufca i bëri këto deklarata në edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, që po mbahet në Prishtinë, me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.

Në fjalimin e tij, Konjufca tha se në rrethanat e luftërave dhe konflikteve në botë, Kosova ka qëndruar e palëkundur në mbështetje të aleancës perëndimore dhe të Ukrainës përballë agresionit rus.

“Rrethanat e trazuara globale të viteve të fundit kanë dëshmuar se Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur ka qëndruar e palëkundur në mbështetjen e aleancës perëndimore për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Ukrainës kundrejt agresionit të Rusisë dhe i ka mbështetur të gjitha masat sanksionuese që aleanca perëndimore i ka vendosur Federatës Ruse”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, Konjufca tha se Kosova qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekjet për ndërtimin e paqes.

“Po ashtu Republika e Kosovës qëndron përkrah aleatit tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjen e tyre për të ndërtuar paqen në Lindjen e Mesme”, tha Konjufca.

Ai përmendi edhe anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes dhe dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, duke i cilësuar këto si dëshmi të orientimit të Kosovës ndaj partneritetit me SHBA-në.

“Anëtarësimi në bordin e paqes të themeluar nga Presidenti Trump dhe dërgimi i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza, në kuadër të trupës paqeruajtëse, janë dëshmi e orientimit dhe e lojalitetit tonë ndaj këtij partneriteti që e kemi”, deklaroi ai.

Konjufca tha se Qeveria e Kosovës ka dënuar përpjekjet e Iranit për të cenuar stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe ka mbështetur qëndrimin amerikan se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Në fokus të fjalimit ishte edhe Serbia dhe raportet e saj me Rusinë e Kinën.

“Pavarësisht orientimit të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve euroatlantike, të pasurit në kufi të një fqinji siç është Serbinë, e cila vazhdon të mbajë raporte të ngushta me Rusinë, paraqet kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për krejt Ballkanin”, tha Konjufca.

Sipas tij, Serbia nuk mbështet sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe ka intensifikuar bashkëpunimin ushtarak me Kinën.

“Ky orientim i Serbisë është më shumë sesa një pozicion i dygjuhësuar në arenën ndërkombëtare. Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane”, theksoi ministri në detyrë.

Konjufca iu referua edhe deklaratës së ministres serbe për spastrimin etnik të Kosovës, duke thënë se një deklaratë e tillë duhet të merret seriozisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

“Deklarata e ministres serbe se po të ishte në vend të Millosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është një deklaratë që duhet ta marrim seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por duhet të merret po aq me vëmendje dhe me seriozitet edhe nga aleatët tanë ndërkombëtarë që kanë investuar dhe investojnë në sigurinë dhe në paqen e rajonit tonë”, deklaroi ai.

Duke folur për punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjatë gjashtë muajve të fundit, Konjufca tha se është intensifikuar angazhimi ndërkombëtar i Kosovës përmes takimeve bilaterale, konsultimeve politike, vizitave zyrtare dhe forumeve ndërkombëtare.

“Këto aktivitete nuk janë vetëm një numër. Pas çdo takimi qëndron një interes i Kosovës, pas çdo konsultimi një objekt diplomatik, ndërsa pas çdo marrëveshjeje edhe një mundësi e re për qytetarët tanë”, tha ai.

Konjufca tha se Kosova ka forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Finlandën, Irlandën, Turqinë dhe shtetet nordike.

Sipas tij, një rezultat i rëndësishëm i angazhimit diplomatik është nënshkrimi dhe avancimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, ekonominë, arsimin, kulturën dhe lehtësimin e vizave.

Ministri në detyrë tha se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Qasja jonë është e qartë: aty ku nuk ka ende njohje, duhet të ketë komunikim të shtuar; aty ku ka komunikim, duhet të ndërtohet besimi më tutje; ndërsa aty ku ndërtohet besimi, krijohen hapësira për rezultate të reja diplomatike”, tha Konjufca.

Ai përmendi edhe zgjerimin e pranisë diplomatike të Kosovës, duke veçuar hapjen e konsullatës së përgjithshme në Houston të SHBA-së dhe formalizimin e konsullatës së nderit në Kobe të Japonisë.

Sa i përket rajonit, Konjufca tha se Kosova ka vazhduar bashkëpunimin me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Kroacinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, si dhe angazhimin në procesin e Berlinit dhe mekanizmat e tjerë rajonalë.

Ai e cilësoi integrimin euroatlantik si një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

“Kemi intensifikuar angazhimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës përmes një diplomacie të drejtpërdrejtë dhe të strukturuar me shtetet anëtare, grupet politike dhe institucionet e kësaj me të. Në Strasburg, në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane kemi përcjellë mesazhin e qartë: Kosova i ka përmbushur kriteret dhe meriton të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha ai.

Konjufca shtoi se Kosova ka avancuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe partnerët evropianë, ndërsa marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE mbetet prioriteti më i lartë.

Në fund të fjalimit, Konjufca theksoi edhe rëndësinë e diplomacisë ekonomike, duke thënë se Kosova ka promovuar potencialet e saj për investime, tregti, turizëm, energji dhe sektorë të tjerë strategjikë.

“Diplomacia jonë është edhe diplomaci ekonomike. Përmes forumeve, panairëve, sesioneve informuese dhe takimeve B2B në Itali, në Gjermani, Zvicër, Suedi, Holandë, Kanada, Portugali dhe vende të tjera, i kemi promovuar potencialet e Kosovës për investime, tregti, turizëm, energji dhe sektorë strategjikë të ekonomisë. Kemi lidhur bizneset e Kosovës me tregjet ndërkombëtare dhe kemi krijuar ura të reja ndërmjet ekonomisë sonë dhe kapitalit të mërgatës”, deklaroi Konjufca.

 

 

Të Ngjashme