Lajme

Kontrolle nëpër pishina, ISHSH: Në gatishmëri për çdo ankesë nga qytetarët apo referimi nga mjekët

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor vijon kontrollet e kushteve higjieno-sanitare të pishinave , bareve pranë plazheve dhe hoteleve në të gjitha subjektet në vend.

Gjatë kontrolleve, pishinat që janë konstatuar me mangësi kanë marrë detyra konkrete për përmirësim brenda afateve të përcaktuara. Për subjektet që nuk kanë respektuar kushtet janë marrë edhe masa administrative.

“Në disa subjekte janë konstatuar shkelje dhe janë marrë masa sipas legjislacionit në fuqi. Qëllimi është garantimi i kushteve ideale për një sezon sa më të mirë”, u shpreh Klaus Shaqiri nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor

Inspektorati siguron se për çdo urgjence apo parregullsi të konstatuar si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet shëndetësore ka në dispozicion grupin e gatshëm.

“Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Dega Rajonale Tiranë ka ngritur një grup të gatshëm, i cili është gjatë gjithë kohës dhe çdo ditë në terren dhe është në pritje të ankesave të qytetarëve dhe ndihmës së subjekteve përkatëse që kërkojnë ndihmë nga ana jonë”, tha ai.

Mijëra shqiptarë frekuentojnë pishinat kryesisht në fundjavë. Në të gjithë vendin ka rreth 200 pishina, shumica e tyre në Tiranë. Ndryshe nga plazhet, pishinat kanë një risk më të shtuar të përhapjes së infeksioneve.

Inspektimet dhe riinspektimet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik.

Të Ngjashme