Në një botë ku të gjithë bëjnë gjithçka njëkohësisht, sekreti është të bësh më pak. Ose më saktë: të bësh një gjë të vetme, por ta bësh mirë.
Multitasking është bërë mënyrë jetese. E kontrollojmë telefonin ndërkohë që punojmë, përgjigjemi në emaile gjatë një detyre tjetër, kalojmë nga një gjë në tjetrën pa u ndalur. Por sipas studimeve, dhe njerëzve që performojnë më mirë, kjo është pikërisht arsyeja pse ndihemi të lodhur dhe të stresuar.
Zgjidhja? Monotasking. Pra, të përqendrohesh në një gjë të vetme në një moment të caktuar.
Shkrimtarja Isabel Allende, për shembull, ka një ritual të pandryshueshëm: çdo vit, më 8 janar, ajo nis një libër të ri dhe i përkushton gjithë energjinë e saj. Ajo mbyll derën, izolon hapësirën dhe nuk lejon asnjë ndërprerje. Për të, heshtja dhe struktura janë thelbësore.
Studimet tregojnë se truri i njeriut nuk është ndërtuar për fokus të gjatë dhe të vazhdueshëm, aq më pak për të kaluar vazhdimisht nga një detyrë në tjetrën. Në fakt, një punonjës mesatar sot ndërron aktivitet çdo 45 sekonda.
Rezultati? Më shumë gabime. Më shumë stres. Më pak produktivitet. Sipas kërkimeve, çdo herë që kalon nga një detyrë në tjetrën, truri duhet të “ndryshojë rregullat e lojës”. Edhe nëse detyrat janë të ngjashme, ky proces të ngadalëson dhe të lodh.
Madje, multitasking lidhet edhe me rritje të tensionit të gjakut dhe ndikim në sistemin imunitar.
Ndërkohë, monotasking, pra përqendrimi vetëm në një gjë, bën të kundërtën: ul stresin dhe rrit efikasitetin.
Por ka një problem. Ne jemi mësuar me ndërprerje. Edhe kur nuk kemi njoftime apo shpërqendrime, shpesh i krijojmë vetë. Kontrollojmë telefonin pa arsye, hapim një tab tjetër, mendojmë për një detyrë tjetër. Me pak fjalë, është një refleks. Dhe për ta ndryshuar, duhen disa kufizime të vetëvendosura.
Si ta praktikosh monotasking në jetën reale?
– Mos e nis ditën me email
– Vendos më pak detyra në listë
– Fike telefonin ose lëre në një dhomë tjetër
– Shkruaj gjërat që të vijnë në mendje, që të mos të të shpërqendrojnë
– Puno me intervale dhe bëj pushime të shkurtra
Një ide interesante është ajo e “pushimeve të vogla mendore”: kur lodhesh nga një detyrë, mos kalo në një tjetër të rëndësishme, por bëj diçka të thjeshtë, si një aktivitet rutinë. Kjo e ndihmon trurin të rikuperojë fokusin.
Tekefundit, produktiviteti nuk vjen nga të bërit shumë gjëra njëkohësisht, por kur bën një gjë të vetme dhe e bën mirë.
