Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve në Shkodër ka nisur procesin e regjistrimit për vitin e ri akademik. Drejtorja e institucionit, Sindis Kopliku, bën me dije se regjistrimet janë ende në vijim, ndërsa krahasuar me një vit më parë është shënuar një rritje me rreth 20 për qind të numrit të studentëve që kanë shfaqur interes për akomodimin në konvikte.
“Aktualisht jemi në fazën e regjistrimeve, por kemi vënë re që dy vitet e fundit kemi një rritje të konsiderueshme të studentëve dhe kjo falë investimeve të duhura të mirëmbajtjes së duhur të godinave të trajtimit të studentëve dhe jemi të hapur për pjesën e të gjithë studentëve që kanë dëshirën për t’u akomoduar për këtë vit akademik”, deklaroi Sindis Kopliku, Drejtore e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Shkodër
Për këtë vit akademik, Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve në Shkodër ka në dispozicion mbi 300 vende akomodimi. Kapacitetet janë të përcaktuara për studentët që zgjedhin të qëndrojnë në konvikte gjatë periudhës së studimeve, ndërsa regjistrimet do të vijojnë sipas kërkesave dhe vendeve të lira.
“Për këtë vit kemi një rritje të konsiderueshme prej një numër 20 deri 22% të të studentëve në krahasimisht me tre vitet e kaluara. Aktualisht kemi 340 shtrete të cilët mund të akomodohen në dhoma dyshe ose individuale”, shtoi Kopliku.
Edhe këtë vit, tarifa e akomodimit mbetet e pandryshuar për studentët. Pagesa është 5 mijë lekë të rinj në muaj, duke ruajtur të njëjtin çmim të aplikuar edhe më herët.
