Lajme

Korrje-shirjet në Podujevë, Kurti: Rendimentet e grurit këtë vit janë më të mira se vitin e kaluar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fushat e korrje-shirjeve në Podujevë, ku ka parë nga afër procesin e korrjes së grurit.

Në këtë vizitë, Kurti u shoqërua nga ministri në detyrë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Armend Muja, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, si dhe drejtori i Bujqësisë, Behram Latifi.

Kurti tha se rendimentet e grurit këtë vit janë më të mira krahasuar me vitin e kaluar, duke theksuar mbështetjen që, sipas tij, po ofron niveli qendror për fermerët në të gjithë Kosovën.

“Rendimentet e grurit këtë vit janë treguar më të mira krahasuar me vitin e kaluar”, ka deklaruar Kurti gjatë vizitës.

Ministri në detyrë për Bujqësi, Armend Muja, bëri të ditur se këtë vit është rritur sipërfaqja e mbjellë me grurë, si dhe numri i fermerëve që kultivojnë këtë kulturë.

Sipas tij, gjatë këtij viti janë regjistruar rreth 23 mijë fermerë që kanë mbjellë grurë në Kosovë.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, tha se procesi i korrje-shirjeve po zhvillohet me ritëm të mirë.

Drejtori i Bujqësisë në Podujevë, Behram Latifi, bëri të ditur se në këtë komunë këtë vit janë mbjellë rreth 5 mijë e 400 hektarë me grurë./teve1.info/

Të Ngjashme