Ndërsa qeveria nxiton të hapë thesin e buxhetit për të kënaqur Policinë e Shtetit përpara zgjedhjeve dhe protestave , një tjetër strukturë jetike e sigurisë sapo ka zbuluar se për Edi Ramën ka mbetur thjesht një “shënim në fund të faqes”.
Sindikata e Gardës së Republikës ka shpërthyer në akuza publike, duke deklaruar se janë lënë në harresë të plotë financiare, teksa kryeministri kujdeset vetëm për ata që nxjerr në terren për të menaxhuar e shtypur revoltat në bulevard.
Me projektbuxhetin e ri, qeveria ka alokuar plot 3.3 miliardë lekë për të rritur pagat e 8,500 policëve deri në 20 mijë lekë të reja. Por kjo lëvizje, që shihet qartë si një përpjekje taktike për të mbajtur besnikërinë e uniformave blu në kohë krizash sociale, ka nxjerrë zbuluar diskriminimin ndaj Gardës.
Paga bazë në Gardë ka mbetur e “ngrirë” në kuotën e mjerueshme prej 73,500 lekësh. Një ushtar bazë me përvojë sot paguhet mbi 82,000 lekë, duke e lënë efektivin e Gardës në fund të zinxhirit të vlerësimit ekonomik.
Sindikata e Gardës u kujtoi strukturave përgjegjëse se që nga viti 2001, ky institucion nuk vlerësohet financiare siç duhet. Diferenca meritore historike prej +15,000 lekësh që Garda gëzonte dikur ndaj strukturave të tjera të sigurisë sot është shkrirë plotësisht.
Sindikata ka përdorur tone të ashpra, duke vënë në dukje ironinë e madhe të punës së tyre. Ata kujtojnë se profesioni i tyre është gjithmonë me “vizë të kuqe”, me presion dhe gatishmëri maksimale në çdo sekondë. Ndryshe nga strukturat e tjera, për Gardën ka “zero tolerancë për gabime”, pasi dështimi në mbrojtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore do të cenonte imazhin e vetë shtetit shqiptar.
“Të mbrosh shtetin me jetë kërkon që edhe shteti të të vlerësojë me dinjitet,” shprehet sindikata, duke dhënë një mesazh të qartë për kryeministrin. Ironia është therëse, qeveria kërkon siguri maksimale për jetën e liderëve dhe të ftuarve të huaj, por kur vjen puna te dinjiteti ekonomik i njerëzve që u rrinë pas shpine me armë në dorë, Rama zgjedh t’u kthejë kurrizin për të financuar vetëm bonuset e atyre që përballen me protestat e studentëve dhe qytetarëve.
