Lajme

Kosova dhe SHBA-ja themelojnë Grupin Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë themeluar Grupin Punues për Bashkëpunim në Fushën e Energjisë, me synim forcimin e sigurisë energjetike dhe sigurimin e energjisë së përballueshme.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Ekonomisë, e cila ka njoftuar se në ambientet e saj është mbajtur takimi i parë i këtij grupi punues.

Në grup marrin pjesë përfaqësues politikë dhe teknikë të Ministrisë së Ekonomisë, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), si dhe përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas njoftimit, grupi synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve përmes shkëmbimit të informacionit dhe ekspertizës, si dhe shqyrtimit të mundësive që u përgjigjen prioriteteve të përbashkëta dhe nevojave të sektorit të energjisë në Kosovë.

Ministria e Ekonomisë ka theksuar se kjo nismë paraqet vazhdimësi të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së në sektorin e energjisë, i cili përfshin iniciativa të rëndësishme si themelimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, hartimi i Strategjisë së Energjisë, zhvillimi i ankandit të parë solar dhe investimet në bateritë për ruajtjen e energjisë në kuadër të Programit Kompakt me MCC-në.

Në fund të takimit, palët kanë shprehur gatishmërinë për të vazhduar partneritetin dhe për të identifikuar mundësi konkrete bashkëpunimi, me synim krijimin e një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm./teve1.info/

Të Ngjashme