Tre kongresistë nga Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një nismë të re në mbështetje të Kosovës.
Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, me të cilën kërkojnë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Rezoluta, e dorëzuar më 30 prill dhe e mbështetur në mënyrë dypartiake, thekson rëndësinë strategjike të integrimit të Kosovës në aleancën euroatlantike, në një kohë kur sfidat e sigurisë në rajon mbeten të pranishme.
Në tekstin e saj, ndër të tjera, thuhet se “për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancën e NATO-s do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të frenuar këto përpjekje armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.
Kurse, një ndër nismëtarët e rezultues, kongresisti Keith Self ka thënë se Kosova ka treguar përkushtim ndaj stabilitetit në rajon dhe afrimit me NATO-n, por rruga e saj drejt anëtarësimit po ngadalësohet për shkak të mosnjohjes nga disa vende aleate.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh,” ka deklaruar kongresisti Keith Self.
Ndërkaq, në Kosovë kjo rezolutë është mirëpritur. Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohje për kongresistët amerikanë për mbështetjen ndaj Kosovës në NATO.
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, e mirëpritën gjithashtu nismën, duke e cilësuar të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe duke theksuar gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në aleancën euroatlantike.
Në anën tjetër, ekspertët kanë vlerësuar se rezoluta e kongresistëve amerikanë për mbështetjen e Kosovës në NATO është një zhvillim i rëndësishëm politik, por jo vendimtar për procesin e anëtarësimit.
Sipas tyre, ajo forcon mbështetjen amerikane dhe e pozicionon Kosovën si kandidate të besueshme, duke theksuar standardet demokratike, kontrollin civil të ushtrisë dhe bashkëjetesën multietnike.
Po ashtu, kanë theksuar se rezoluta ka më shumë karakter simbolik, pasi nuk ndryshon drejtpërdrejt statusin e Kosovës në raport me NATO-n.
Racaj: Kosova po fiton mbështetje në Uashington, por rruga drejt NATO-s mbetet e gjatë
Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rezoluta e kongresistëve amerikanë është e rëndësishme për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Racaj e ka thënë se e vlerëson atë si kandidate për NATO, për shkak të demokracisë, kontrollit civil të ushtrisë dhe bashkëjetesës multietnike.
“Rezoluta e prezantuar nga kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Laëler në Dhomën e Përfaqësuesve përbën një zhvillim të rëndësishëm politik në raport me perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës. Në përmbajtjen e saj, rezoluta thekson tre elemente kyçe që e bëjnë Kosovën një kandidate të besueshme për anëtarësim në NATO: qeverisjen demokratike funksionale, mbikëqyrjen civile të forcave të sigurisë dhe modelin e bashkëjetesës multietnike. Këto përbëjnë standarde themelore të vetë Aleancës dhe janë në përputhje me parimet e saj normative”, ka thënë ai.
Sipas tij, rezoluta tregon vazhdimësi të mbështetjes amerikane për Kosovën, konsensus bipartiak për integrimin e saj euroatlantik dhe se ajo lidhet me strategjinë e SHBA-së për stabilitet në Ballkan dhe kufizim të ndikimit rus.
“Në kontekstin e politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës, kjo rezolutë reflekton një vazhdimësi të qartë të mbështetjes strategjike të Shteteve të Bashkuara. Ajo tregon se, përtej dallimeve të brendshme politike në SHBA, ekziston një konsensus bipartiak për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike. Në një periudhë të tensioneve gjeopolitike dhe rritjes së ndikimit rus në Ballkan, kjo nismë shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë amerikane për stabilizimin e rajonit dhe kufizimin e ndikimeve destabilizuese”, ka theksuar ai.
Tutje, Racaj ka shpjeguar se rezolutat e tilla nuk kanë fuqi juridike dhe nuk e përshpejtojnë anëtarësimin në NATO, por kanë ndikim politik të rëndësishëm.

Muhamet Racaj
“Sa i përket ndikimit të rezolutave të tilla në procesin e anëtarësimit në NATO, duhet theksuar se ato nuk kanë fuqi detyruese juridike dhe nuk e përshpejtojnë drejtpërdrejt procesin formal të anëtarësimit. Megjithatë, pesha e tyre politike është e konsiderueshme: ato ndikojnë në formësimin e opinionit politik në Uashington, rrisin ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe shërbejnë si instrument presioni diplomatik ndaj aleatëve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Pra, ndikimi i tyre është indirekt, por strategjik”, ka shpjeguar ai.
Mes tjerash, Racaj ka përmendur se procesi kërkon konsensus të plotë të NATO-s dhe vazhdimin e reformave dhe angazhimit diplomatik nga Kosova.
“Nëse kjo rezolutë përfaqëson një sinjal të qartë për afrimin e Kosovës me NATO-n, mund të thuhet se ajo është një sinjal pozitiv dhe inkurajues, por jo një garanci e menjëhershme për anëtarësim. Procesi i anëtarësimit mbetet kompleks dhe kërkon konsensus të plotë të të gjitha shteteve anëtare të NATO-s, përfshirë edhe ato që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, rezoluta dëshmon se Kosova po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në qarqet vendimmarrëse amerikane dhe po pozicionohet si një partner i besueshëm në arkitekturën e sigurisë euroatlantike.
Në përfundim, kjo nismë duhet parë si një hap i rëndësishëm në dimensionin politik dhe diplomatik, që e afron Kosovën me objektivin strategjik të anëtarësimit në NATO, por që kërkon vazhdim të reformave të brendshme dhe intensifikim të angazhimit diplomatik në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Racaj.
Gjanaj: Rezoluta amerikane mbështetje politike, por pa efekt real në NATO
Ndërkaq, politologu Ramadan Gjanaj ka thënë se rezoluta nga Kongresi amerikan është më shumë simbolike dhe politike, jo vendim që ndryshon realisht statusin e Kosovës për NATO.
Sipas tij, ajo e mban Kosovën në vëmendjen strategjike të SHBA-së, por nuk detyron qeverinë amerikane apo NATO-n të ndryshojnë qëndrim apo të nisin anëtarësimin automatik.
“Kjo rezolutë duhet parë para së gjithash si një sinjal i rëndësishëm politik dhe simbolik që vjen nga një pjesë e Kongresit amerikan, por sigurisht jo si një avancim i drejtpërdrejtë institucional që ndryshon konkretisht statusin e Kosovës në rrugën drejt NATO-s. Në një kontekst ndërkombëtar të shënuar nga lufta në Ukrainë, rivaliteti me Rusinë dhe shqetësimet për stabilitetin në Ballkan, kjo iniciativë ndihmon që Kosova të mbetet pjesë e agjendës strategjike amerikane.
Megjithatë, është thelbësore të kujtohet se një rezolutë e tillë, sidomos në Dhomën e Përfaqësuesve, është kryesisht deklarative dhe jo detyruese. Edhe nëse miratohet, ajo nuk e obligon administratën amerikane, Departamentin e Shtetit apo NATO-n të ndryshojnë qëndrimin e tyre institucional. Ajo shpreh një orientim politik ose një vullnet mbështetës, por nuk krijon ndonjë mekanizëm automatik për anëtarësim”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Gjanaj ka cekur se kjo iniciativë mund të ketë edhe elemente lobimi dhe komunikimi politik, ku diaspora shqiptaro-kosovare në SHBA luan rol të rëndësishëm.

Ramadan Gjanaj
“Gjithashtu, duhet ruajtur një lexim realist: iniciativa të tilla mund të futen po ashtu edhe në një logjikë lobimi ose komunikimi politik. Siç ndodh shpesh në Uashington, shumë nisma të këtij lloji ndikohen, madje edhe nxisen, nga përpjekje lobuese të qeverive të huaja, diasporave të organizuara apo grupeve të interesit që synojnë të prodhojnë efekt politik si jashtë vendit, ashtu edhe ndaj opinionit të tyre publik kombëtar. Diaspora shqiptaro-kosovare në Shtetet e Bashkuara ka një kapacitet real mobilizimi politik, veçanërisht pranë disa ligjvënësve të ndjeshëm ndaj çështjeve të politikës së jashtme, të drejtave të popujve apo stabilitetit rajonal.
Ndërsa situata institucionale dhe politike duket e bllokuar në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, është plotësisht e mundur që kjo iniciativë të shërbejë gjithashtu — të paktën pjesërisht — për të dërguar një mesazh politik ndaj opinionit publik kosovar: të tregojë se “diçka po lëviz” në Uashington dhe se qeveria në detyrë vazhdon të gëzojë mbështetje të dukshme në arenën ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe pritjeje zgjedhore.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se rezoluta është thjesht artificiale apo e zhveshur nga sinqeriteti strategjik, por më tepër se ajo mund t’u shërbejë njëkohësisht disa objektivave: simbolike, diplomatike, komunitare dhe politike”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Gjanaj ka nënvizuar se edhe pse është politikisht pozitive, ajo nuk i ndryshon kriteret e Aleancës, ku kërkohet vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare.
“Ndikimi real i një rezolute të tillë në procesin e anëtarësimit mbetet i kufizuar. Edhe pse politikisht është pozitive, ajo nuk ndryshon kriteret themelore për hyrje në NATO, të cilat mbështeten, ndër të tjera, në konsensusin unanim të të gjitha shteteve anëtare.
Pikërisht këtu qëndron pengesa kryesore: disa anëtarë të Aleancës ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, veçanërisht Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia. Për sa kohë që kjo mungesë njohjeje vazhdon, një anëtarësim i plotë mbetet shumë kompleks, pavarësisht nivelit të mbështetjes së shprehur nga disa ligjvënës amerikanë”, ka thënë ai.
Në fund, Gjanaj thotë se rezoluta ndihmon në rritjen e dukshmërisë së Kosovës dhe tregon mbështetje amerikane, por nuk ndryshon realitetin.
“Prandaj, kjo rezolutë nuk duhet paraqitur apo interpretuar si shenjë e një anëtarësimi të afërt, por më tepër si një element mbështetjeje diplomatike dhe narrative në një proces afatgjatë. Ajo mund të forcojë dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe të ushqejë idenë e një mbështetjeje të qëndrueshme amerikane, por nuk e ndryshon, e vetme, realitetin institucional: pa zgjerim të njohjeve dhe pa konsensus brenda NATO-s, rruga mbetet para së gjithash politike, diplomatike dhe sigurisht e gjatë”, ka përmbyllur Gjanaj për “Bota sot”.
