Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar sot në Gjonaj të Hasit, ku i është bashkuar festimeve në kuadër të festivalit tradicional “Hasi Jehon”.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, ajo është shfaqur së bashku me deputetin e disa legjislaturave, Haxhi Avdyli, teksa kanë përshëndetur qytetarët nga ky rajon.
“Përshëndetje. Jemi në Gjonaj të Hasit – një prej vendeve më të bukura në Kosovë”, tha Osmani në fillim të videos.
Ajo theksoi se janë të lumtur që po marrin pjesë në këtë ngjarje kulturore, duke u bashkuar me banorët e Hasit.
“Jemi shumë të lumtur që sot do t’i bashkohemi hasjanëve. Jemi bashkë me dokin, në festivalin ‘Hasi Jehon’”, u shpreh ajo.
Osmani vlerësoi gjithashtu rëndësinë kulturore të këtij rajoni, duke theksuar se Hasi ka ruajtur ndër vite traditat dhe identitetin shqiptar.
“Hasit gjithmonë i është dëgjuar zëri – ky zë ka jehuar nëpërmjet këngëve, valleve dhe veshjeve tradicionale, duke mbrojtur rrënjët shqiptare”, deklaroi ajo.
Ndërkaq, Haxhi Avdyli u shpreh se janë të lumtur që po i bashkohen, siç tha ai, “njerëzve të mirë dhe punëtorë të Hasit” në këtë festë.
