Lajme

Kosova drejt NATO-s, sinjal i fortë nga Kongresi amerikan për shtetin tonë

Kryetari i Nënkomitetit për Evropën në Kongresin amerikan, Keith Self, po vazhdon të ngrejë zërin e tij në mbështetje të Kosovës dhe përshpejtimit të integrimit të saj euroatlantik, duke kërkuar angazhim më të fortë diplomatik nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s për konsolidimin e pozitës ndërkombëtare të vendit dhe forcimin e stabilitetit në Ballkan.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një seance dëgjimore me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Komitetin për Punë të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, ku u diskutuan zhvillimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

“Njohja e plotë ndërkombëtare e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në të ardhmen në NATO janë elemente kyçe për garantimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkan”, deklaroi Self, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së plotë të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Deklaratat e kongresistit amerikan Keith Self në mbështetje të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO po vlerësohen si sinjal i rëndësishëm politik dhe strategjik nga njohës të fushës së sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Megjithatë, theksohet se pavarësisht kësaj mbështetjeje, procesi drejt NATO-s kërkon diplomaci të vazhdueshme dhe angazhim të koordinuar me shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ekspertët vlerësojnë se rruga e Kosovës drejt NATO-s mbetet e hapur, por e kushtëzuar nga konsensusi i plotë brenda aleancës, si dhe nga aftësia e institucioneve vendore për të shndërruar mbështetjen politike ndërkombëtare në hapa konkretë strategjikë.

Racaj: Kosova ka mbështetje në SHBA, por kërkohet punë diplomatike e vazhdueshme

Lidhur me këtë, ka folur për “Bota sot”, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, i cili ka deklaruar se deklarata e kongresistit Self për mbështetjen e Kosovës në NATO dhe angazhimi i SHBA-së në Ballkan është një sinjal i rëndësishëm politik dhe strategjik.

“Deklarimi publik i kryetarit të Nënkomitetit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, kongresistit Keith Self, në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, përbën një sinjal të rëndësishëm politik dhe strategjik për Republikën e Kosovës.

Kjo mbështetje ka peshë të veçantë sepse vjen nga një përfaqësues i rëndësishëm i Kongresit amerikan, në një kohë kur çështjet e sigurisë në Evropë dhe në Ballkan po marrin dimensione të reja për shkak të zhvillimeve gjeopolitike globale. Mesazhi i tij tregon se në qarqe të rëndësishme politike në Shtetet e Bashkuara vazhdon të ekzistojë konsensusi për rëndësinë strategjike të Kosovës dhe për nevojën e integrimit të saj në strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.

Gjitashtu, Racaj ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është edhe interes i sigurisë rajonale dhe i vetë Aleancës,. 

Sipas tij, mbështetja e SHBA-së është vendimtare, por procesi kërkon konsensus të plotë dhe angazhim diplomatik me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Image
Muhamet Racaj

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk duhet parë vetëm si interes i Kosovës, por edhe si interes i sigurisë rajonale dhe i vetë Aleancës. Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj vlerave demokratike, bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe zhvillimit të kapaciteteve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.

Sa i përket mundësisë së tejkalimit të kundërshtimeve të shteteve mosnjohëse brenda NATO-s, mbështetja e fuqishme e SHBA-së është faktor vendimtar, por jo i vetmi. Duhet pasur parasysh se vendimet për zgjerimin e NATO-s merren me konsensus të plotë të të gjitha shteteve anëtare. Prandaj, edhe pse një angazhim i fuqishëm amerikan mund të ndikojë ndjeshëm në krijimin e një klime më pozitive politike dhe diplomatike, procesi kërkon gjithashtu punë intensive diplomatike me ato vende që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sipas tij, deklarata e Keith Self është inkurajim për Kosovën që të vazhdojë reformat dhe përpjekjet diplomatike drejt NATO-s.

“Megjithatë, historia e NATO-s ka treguar se kur ekziston një interes i qartë strategjik i Aleancës dhe një mbështetje e fuqishme amerikane, mund të gjenden zgjidhje politike dhe diplomatike edhe për çështje komplekse. Në këtë aspekt, deklarata e kongresistit Keith Self duhet të shihet si një inkurajim i rëndësishëm për institucionet e Kosovës që të vazhdojnë reformat në sektorin e sigurisë, të forcojnë partneritetin me SHBA-në dhe të intensifikojnë aktivitetin diplomatik drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Në përfundim, mbështetja publike e kongresistit Keith Self është një tregues se Kosova vazhdon të gëzojë mbështetje të konsiderueshme në qarqet politike amerikane dhe se perspektiva euroatlantike e Kosovës mbetet pjesë e vizionit strategjik të Shteteve të Bashkuara për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka përmbyllur Racaj për “Bota sot”.

Elezi: Rruga e Kosovës drejt NATO-s mbetet e hapur, SHBA faktor kyç në konsensus

Ndërkaq, Bedri Elezi ka vlerësuar se deklaratat e kongresistit Self përbëjnë një sinjal të rëndësishëm politik dhe strategjik për Kosovën, duke theksuar se çështja e anëtarësimit në NATO po merr vëmendje në Kongresin amerikan.

Image
Bedri Elezi

“Deklaratat e kongresistit Keith Self përbëjnë një sinjal të rëndësishëm politik dhe strategjik për Kosovën. Fakti që çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO ngrihet në një seancë zyrtare të Kongresit amerikan dhe në prani të Marco Rubio tregon se siguria e Kosovës dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të konsiderohen çështje me interes për politikën amerikane.

Mesazhi për Kosovën është i qartë: ekziston një dritare e rëndësishme mbështetjeje politike në SHBA, por kjo duhet të shoqërohet me veprime konkrete dhe serioze nga institucionet e Kosovës. Anëtarësimi në NATO nuk duhet të trajtohet vetëm si objektiv diplomatik, por si prioritet strategjik shtetëror që kërkon angazhim të koordinuar në fushën e sigurisë, mbrojtjes, diplomacisë dhe partneriteteve ndërkombëtare”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, mbështetja e kongresistit Self ka rëndësi politike, por anëtarësimi në NATO kërkon konsensus të plotë të shteteve anëtare.

Ai ka cekur se mbështetja amerikane mund të krijojë një klimë më të favorshme, pa i zgjidhur automatikisht kundërshtimet ekzistuese.

“Nga perspektiva e sigurisë, anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përfaqësonte garancinë më të fuqishme për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe stabilitetit afatgjatë të vendit. Në kushtet e sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon, integrimi i Kosovës në arkitekturën euroatlantike do të kontribuonte jo vetëm në sigurinë e Kosovës, por edhe në sigurinë e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Mbështetja publike e kongresistit Keith Self ka peshë politike sepse vjen nga një figurë që merret drejtpërdrejt me çështjet evropiane dhe të sigurisë ndërkombëtare. Megjithatë, duhet kuptuar se anëtarësimi në NATO kërkon konsensus të të gjitha vendeve anëtare të aleancës. Mbështetja e fuqishme amerikane mund të ndikojë ndjeshëm në krijimin e një klime më të favorshme politike dhe diplomatike, por formalisht nuk i eliminon automatikisht kundërshtimet e vendeve që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Elezi ka shtuar se historia e NATO-s tregon se kur SHBA vendosin një prioritet strategjik dhe angazhohen fuqishëm diplomatikisht, rritet ndjeshëm edhe mundësia për ndërtimin e konsensusit brenda aleancës. 

“Megjithatë, historia e NATO-s ka treguar se kur Shtetet e Bashkuara vendosin një prioritet strategjik të qartë dhe angazhohen fuqishëm diplomatikisht, aftësia për të ndërtuar konsensus brenda aleancës rritet ndjeshëm. Për këtë arsye, deklarata të tilla duhen parë si një mundësi që Kosova duhet ta shfrytëzojë me diplomaci aktive, reforma të vazhdueshme në sektorin e sigurisë dhe forcim të partneritetit me aleatët kryesorë.

Në thelb, ky është një mesazh që Kosova duhet ta lexojë me seriozitet: rruga drejt NATO-s mbetet e hapur, por suksesi do të varet nga aftësia e institucioneve të Kosovës për ta shndërruar mbështetjen politike ndërkombëtare në rezultate konkrete diplomatike dhe strategjike. Në aspektin e sigurisë kombëtare, anëtarësimi në NATO duhet të mbetet një nga objektivat më të rëndësishme shtetërore të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Elezi për “Bota sot”.

Të Ngjashme